Arrestohet ish-punonjësi i gjendjes civile
PERMET - Arrestohet për falsifikim një ish-punonjës i Gjendjes Civile në qytetin e Këlcyrës në Përmet. Sipas policisë, Xhafer Hoxha, 43 vjeç, u prangos pasi kishte konsumuar veprën penale të falsifikimit të akteve të gjendjes civile. Ndalimi i tij u bë pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë "arrest me burg". Ndaj tij ishte vërtetuar se kishte falsifikuar një certifikatë ku rezultonte firma e tij, në periudhën kur ai ishte punonjës në Gjendjen Civile në Bashkinë e Këlcyrës. Ky është rasti i dytë brenda tre vjetëve i arrestimit të punonjësve të gjendjes civile. Në vitin 2006, një punonjëse e Bashkisë së Memaliajt, u prangos pasi u kishte lëshuar certifikata disa personave që nuk ishin banorë të zonës. Bashkë me të u penalizua edhe ish-shefi i Komisariatit të Policisë së Tepelenës, Afrim Zeqo. p.n