E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacienti padi në Prokurori: Dëshmoj ryshfetin e mjekëve

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria provon tre raste korrupsioni nga mjekët e arrestuar për akuzën e kërkimit dhe marrjes së ryshfetit nga pacientët. Arrestimi i dy mjekëve kirurgë pak ditë më parë në Tiranë, ka nxitur edhe denoncimet nga qytetarët, të cilët janë paraqitur në Prokurori dhe polici duke depozituar fakte kundër mjekëve dhe duke u shprehur të gatshëm të përballen me ta në gjyq, duke i akuzuar për marrje ryshfeti nga pacientët e dëmtuar. Kirurgu i spitalit të burgut, Ardian Nelaj, i arrestuar më 31 tetor 2008, sipas Prokurorisë është evidentuar në dy raste duke marrë nga 20 mijë lekë të reja nga të afërmit e personave që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Burimet zyrtare thanë dje se hetuesit ishin në dijeni për rastin e parë të ryshfetit nga kirurgu i spitalit të burgjeve, Ardian Nelaj, i cili kryente operacione edhe në spitalin "Nënë Tereza". Megjithatë duke gjykuar se në këtë rast mund të ketë qenë një këmbëngulje e pacientëve për të shpërblyer kirurgun pas operacionit me sukses, policia ka vendosur të presë e të mbajë në vëzhgim kirurgun 38-vjeçar. I cili vetëm dy javë pasi ishte filmuar e përgjuar duke marrë ryshfet nga pacientët, ka pranuar prej tyre edhe shumën e dytë, e cila ishte përcaktuar nga kërkesat e mjekut në vlerën 20 mijë lekë. Sapo ka marrë këtë shumë parash nga të afërmit e pacientit, kirurgu Ardian Nelaj ra në pranga në flagrancë me akuzën e "korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike". Ai u lirua nga gjykata, e cila tri ditë pas operacionit që arrestoi 38-vjeçarin Nelaj e la atë në "arrest shtëpie", por Prokuroria ka dorëzuar dje në Gjykatën e Apelit ankimin përkatës, duke kërkuar rikthimin e kirurgut në masën e sigurisë "arrest me burg".
Ryshfeti tek Onkologjiku
Sipas të dhënave të grumbulluara nga agjentët e policisë, mësohet se kirurgu i spitalit onkologjik, Agim Karaj, i arrestuar më 7 nëntor 2008, ka marrë një shumë prej 35 mijë lekë të reja nga pacienti në momentin kur ra në prangat e policisë në kushtet e flagrancës. Sipas dëshmitarëve dhe përgjimeve që i janë bërë kirurgut, ai mësohet se paracaktonte sasinë e parave që duhej të paguanin pacientët, duke vendosur çmime konkrete për secilën prej ndërhyrjeve që realizonte. Burimet e policisë konfirmuan se kirurgu Agim Karaj është përgjuar teksa fliste me të afërm të pacientëve të tij në një rast duke u ankuar se kishte kryer operacionin dhe nuk i kishin dhënë asnjë qindarkë dhe në raste të tjera, duke kërkuar shuma ryshfeti paraprakisht pasi paratë "duheshin" për narkozën dhe medikamentet e tjera që përdoreshin për realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale. Prokuroria konfirmoi se pas arrestimit të kirurgut Agim Karaj ka pasur interesime nga qytetarët që janë paraqitur dhe kanë bërë denoncime, duke u shprehur të gatshëm ta akuzojnë edhe në gjyq kirurgun e Onkologjikut. Sipas Prokurorisë, mësohet se njëri prej këtyre kallëzimeve që bën fjalë për marrje ryshfeti nga pacientët që kryenin operacion, nga hetimet shtesë të kryera prej oficerëve gjyqësorë ka rezultuar të jetë i provuar, me përjashtim të momentit të marrjes në dorëzim të shumës financiare, të cilin për shkak se nuk kishin paralajmërim agjentët nuk e kanë mbikëqyrur. Prokuroria konfirmoi se është duke verifikuar pasuritë e kirurgëve të arrestuar në zyrat e tatimeve, në hipoteka dhe në bankat e nivelit të dytë, me qëllim verifikimin nëse ato janë vendosur nga përfitimet e ryshfetit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›