E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon gjyqi i Durrës-Kukës, prokurori ikën jashtë shtetit

 

FATOS MAHMUTAJ

Nuk paraqitet pro-kurori, dështon seanca për afatet e hetimit të dy të pandehurve të dosjes "Durrës-Kukës", Armand Teliti dhe Andi Toma. Edhe pse seanca nisi me vonesë, për shkak të angazhimit të gjyqtarit në një çështje tjetër, përfaqësuesi i akuzës prokurori Arben Kraja, i cili ka vendosur pak ditë më parë të zgjaste hetimet me një muaj, deri më 6 dhjetor nuk u paraqit në seancë. Teliti dhe Toma, të pandehur në dosjen "Durrës-Kukës" paditën pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë dhe atë të Tiranës prokurorin e çështjes Arben Kraja. Ata iu drejtuan togave të zeza një ditë pasi prokurori i çështjes Arben Kraja, i thirri në zyrën e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe u komunikoi se ata do të ishin të pandehur edhe për një muaj tjetër. Mungesa e prokurorit u bë shkak që të mos zhvillohej seanca, ndërsa ish-zëvendësministri i Transporteve Armand Teliti dhe ish-kreu juridik i Rrugëve Andi Toma ishin paraqitur së bashku me mbrojtësit. Teliti pohoi pas kësaj se ishte i pafajshëm duke kërkuar mbylljen e hetimeve sa më shpejt dhe gjykimin e çështjes. Madje, të dy të pandehurit pohuan se akt-ekspertimi kontabël që ka nxjerrë dënimin ekonomik duhet të shpallet i pavlefshëm. Më tej ata thanë se edhe në prokurori kanë deklaruar, se janë të pafajshëm dhe se nuk kishin asnjë koment për të bërë mbi aktet që nuk janë ekspertuar nga ata. Në fund, Teliti pohuan se çdo akt është i paarsyeshëm dhe i paligjshëm. Ndërkohë një akt-ekspertimi i kryer nga dy ekspertët kontabël Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana del në përfundimin, se me veprimet dhe mos veprimet e tyre në procedurat e ndjekura për përcaktimin e fituesit të tenderit për rrugën Durrës-Kukës pa tunelin e Kalimashit, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik 230 milionë euro. Ekspertët, përpiluan për katër muaj raportin në llogari të hetimeve, duke mos u marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës së ndërtimit të rrugës. Sipas tyre, investimi në total për Durrës-Kukës kap vlerën e 1 miliardë e 23 milionë eurove. Por dy ekspertët i janë referuar gjithashtu, një krahasimi në kostot për të nxjerrë abuzimet. Teliti ish-zëvendësministër dhe Toma, ish-drejtor juridik, akuzohen të kenë shpërdoruar detyrën dhe ushtruar ndikim të paligjshëm te vartësit.

Reagon Ina Rama: Pse s’shkoi në gjyq prokurori
TIRANE - Zyra e kryeprokurores Ina Rama, sqaroi dje shkakun e mungesës së prokurorit të dosjes "Durrës-Kukës", i cili u shty dje në Gjykatën e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare, prokurori Arben Kraja, ndodhet në një seminar në Crans Montana. Prokuroria e Përgjithshme tha se ishte lajmëruar për datën dhe orën e gjyqit të dosjes "Durrës-Kukës", pasditen e të mërkurës në një kohë kur prokurori i çështjes, me ftesë të disa ditëve më parë, ishte nisur me udhëtim zyrtar në seminarin ku po merr pjesë. "Njoftimi i Gjykatës së Tiranës, për kohën e zhvillimit të seancës në gjykatë ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme pasditen e të mërkurës në një kohë kur prokurori i çështjes nuk ndodhej këtu", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, prokurori Arben Kraja do të jetë pjesëmarrës në proces më 17 nëntor 2008. Në këtë datë, gjykata vendosi të shqyrtojë padinë e bërë nga Armand Teliti dhe Andi Toma.                                    t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›