"Hylli i dritës", 85 vite nga numri i parë
Alma Mile
"Atë që duhej thanë, dinte me e thanë, në kohën e duhun e në tonin e përshtatshëm". Pas 85 vjetëve jetë, studiuesi shkodran Wily Kamsi ndërton një bibliografi kronologjike të revistës historike "Hylli i Dritës", nën botimin e Bibliotekës Françeskane "At Gjergj Fishta" në Shkodër. Në këtë bibliografi është përfshirë vetëm një pjesë e jetës së "Hyllit të Dritës", e cila daton mes viteve 1913-1944, kohë në të cilën revista ka qenë plotësisht në dorën e urdhrit Françeskan shqiptar. "Hylli i Dritës", ishte revista e parë botuar në Shqipëri me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor. Nëpër faqet e kësaj reviste, përveç drejtorit të saj At Gjergj Fishta, u prezantua edhe një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh. Përmes këtij botimi, autori Wily Kamsi, tenton të ndriçojë më shumë shkaqet që ndikuan dy herë në pezullimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth 50 vjet, nga ana e regjimit komunist, duke mos u ndalur gjatë në arsyet që çuan të lindjen e këtij organi, gjë që e tregon më së miri përmbajtja. Këtë fazë të parë të botimit, autori e ka grupuar në tri faza, në bazë të tematikave kryesore që karakterizuan secilën.
Në periudhën e parë, 1913-1914, paraqiten fashikujt e parë, ku trajtohen argumente që flasin për formimin qytetas e atdhetar të shqiptarëve, për aftësinë për të organizuar shtetin e vet pas pesë shekujsh pushtimi të huaj, dhe marrëdhëniet në mes të lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë dhe shumë probleme të tjera. Sipas autorit, meqë ishte hera e parë që në Shqipëri botohej një revistë e tillë, në faqet e saj nuk kanë munguar as shkrimet me sfond historik, kulturor e shpesh edhe gjuhësor, duke theksuar gjithnjë nevojën që gjuha shqipe të përfshihej me të drejta të plota në disa shkolla, në të cilat asokohohe trajtohej si gjuhë e kategorisë së dytë. Por nuk ka munguar edhe qëndrimi i fortë polemik, rubrika kushtuar lajmeve të brendshme e të jashtme, të paraqitura nga drejtori i saj, At Gjergj Fishta, të cilat pasqyronin qëndrimin ndaj politikës ndërkombëtare të mbajtur prej ambienteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësuara prej Etënve Fraçeskanë. Shkrimet e guximshme të kësaj reviste, të cilat pasqyronin realitetin e kohës, nuk kaluan pa u vënë re, deri sa në vitin 1914 urdhërohet pezullimi i saj.
Në periudhën e dytë, 1921-'24, të cilën autori e konsideron si periudhën më demokratike të historisë shqiptare, kujdes parësor i është kushtuar mbrojtjes së rilindur të shtetit shqiptar. "Gjatë kësaj periudhe, shprehet autori, revista qet në pah mënyrën e vënies në lëvizje të përbërësve aktivë, e në mënyrë të veçantë ata legjislativë dhe ekzekutivë, siç janë parlamenti dhe qeveria, pastaj u vu në dukje ideali i shqiptarëve, rilindja shpir-tërore e individit, u trajtuan argumente nga fusha të ndryshme, u zhvilluan argumente me sfond kulturor, që kishin të bënin me shkollat e natës, me mësimin në përgjithësi. Revista gjatë kësaj periudhë mbajti me shumë gjallëri anën e demokracisë, respektivisht të revolucionit demokratik të qershorit 1924, i udhëhequr nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri". Kthimi në pushtet i forcave regresive të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha, pas gjashtë muajsh të qeverimit demokrat, çoi sërish në pezullimin e "Hyllit të Dritës". Autori Wyli Kamsi thotë se transkriptimi i titujve në këtë bibliografi është bërë duke ruajtur shkrimin origjinal të revistës dhe shton se çdo pseudonim, anagram, kur ka qenë e mundur janë shpjeguar, duke u vënë përbri emrin e autorit, natyrisht aty ku njihet. Ai po ashtu ka përfshirë të gjitha shënimet e botuesit, ku e ka parë të nevojshme i ka vënë në kllapa të gjithë nëntitujt që ka secili shkrim dhe ka përdorë disa shenja dalluese, konvencionale, me qëllim që t'ua lehtësojnë punën lexuesve.
Në periudhën e tretë, 1930-1944, revista "Hylli i Dritës", sipas autorit, prirej kah zgjidhja e anëve pak të njohura, ose të panjohura të historisë, të letërsisë, të gjuhës, të etnografisë e të folklorit shqiptar, duke përhapur imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës dhe duke e ngritur revistën në një nivel jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Kështu, At Gjergj Fishta ia doli që bashkëpunëtorët të tij të jenë emra si prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmuller, prof. Eqrem Çabej, Dom Nikollë Gazulli, prof. Atanas Gegaj, autor i "L'Albanie et I'invasion turque au XV siecle", botuar në Louvain (Belgjikë), më 1937, prof, Filip Fishta, studiues dhe gjurmues i shquar në fushën e albanistikës, At Gjon Shllaku, At Rrok Gurashi, At Anton Harapi etj. Kjo revistë mbyllet për herë të tretë. Këtë herë nga regjimi komunist, që dënoi me vdekje apo burgime, shumicën e këtyre studiuesve dhe shkencëtarëve. Një humbje e madhe e pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare. Në vitin 1993, me nismën e At Zef Pllumit, filloi rishtas botimi i saj, deri në vitin 1997, pushoi së botuari për të katërtën herë. Mirëpo fatmirësisht në vitin 2006 "Hylli i Dritës" përsëri u ringjall nga hiri i vet.
Autorët që bënë historinë e revistës
At Gjergj Fishta, prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmuller, prof. Eqrem Çabej, Dom Nikollë Gazulli, prof. Atanas Gegaj, autor i "L'Albanie et I'invasion turque au XV siecle", botuar në Louvain (Belgjikë), më 1937, prof, Filip Fishta, studiues dhe gjurmues i shquar në fushën e albanistikës, At Gjon Shllaku, At Rrok Gurashi, At Anton Harapi etj. Në numrin e parë, përpos lajmit të themelimit, gjejmë shkrime të At Pashko Bardhit, të Faik Konicës: "Problemi i madh, pjesë të Kanunit të Lekë Dukagjinit mbledhë prej At Shtjefën Gjeçovit", një poezi të At Vinçens Prennushit me titull "Hyllit t'Dritës", një shkrim me kujtime të At Gjergj Fishtës rreth kryengritjes së viteve 1910-'12.