E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, arrestohet i dhjeti

 

GJIROKASTER

Bie në pranga i 10-ti i akuzuar për tragjedinë e ndo-dhur në Gjiro-kastër mesditën e së dielës. Bashkëpronari i firmës së ndërtimit "Arti Ndërtim" sh.p.k, Aristotel Haxhi, iu dorëzua policisë pas disa ditësh në kërkim. Ai nuk i ka rezistuar dot ikjes, por e ka parë të arsyeshme t'u dorëzohet organeve të drejtësisë për të dhënë llogari rreth përgjegjësive që kishte si pronar i firmës ndërtuese. Në orët e vona të së mërkurës, Haxhi, i vetëm, është paraqitur në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, forcat e saj kanë kryer mjaft kontrolle në të gjithë territorin e qarkut për ta kapur. Madje, ditët e fundit pohohet se ishin bllokuar të gjitha pikat e kalimit kufitar për kapjen e këtij personi. Mendohet se 40-vjeçari Haxhi e ka ndërmarrë këtë veprim duke parë presionin gjithnjë e në rritje të policisë për kapjen e tij dhe pamundësisë për t'u larguar. Pasi është dorëzuar, atij i janë marrë shenjat e gishtërinjve, deklarimi si i akuzuar për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë dhe më pas është shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje të masës së arrestit. Dje janë përballur me akuzat në gjykatë 4 prej pjesës së mbetur të të arrestuarve. Sipas gjykatës, dy prej tyre do të qëndrojnë në burg pa afat, ndërsa dy u lanë për hetim në gjendje të lirë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, pasi shqyrtoi për katër orë rresht dosjet penale të paraqitura nga organi i akuzës. Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, Thanas Llahana, inxhinier gjeolog që akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë, do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg. Ndërsa Jani Ndrico, ekskavatoristi që punonte për llogari të firmës "Arti Ndërtim" sh.p.k", dhe Njazi Çobani, arkitekt i firmës, të cilët akuzohen për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë, do të gjykohen në gjendje të lirë. Ndrico e kishte ditën e tij të parë të punës kur ndodhi tragjedia, ndërsa Çobani mësohet se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me zbatimin e projektit në terren. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar dhjetë persona, tre prej të cilëve zyrtarë nga Bashkia e Gjirokastrës dhe punonjës të firmës që po ndërtonte kompleksin e ri të banimit.
Ndërkohë po dje organi i akuzës ka vazhduar me seancat pyetësore në cilësinë e dëshmitarit, anëtarët e mbetur të KRRT-së së Gjirokastrës, pas deklarimeve që dha kryebashkiaku Flamur Bime dhe nënkryetari Vangjel Muço. Sipas të dhënave nga organi i akuzës, dje është pyetur edhe shefi i zyrës së urbanistikës në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, Bexhet Çobani, anëtar i KRRT-së së Gjirokastrës dhe i KRRT-së së Qarkut. Seancat pyetësore janë përqendruar për të mësuar gjithçka rreth mënyrës së procedimit në dhënien e lejes dhe sheshit të ndërtimit për ngritjen e objektit 8-katësh poshtë pallatit që u rrëzua të dielën. Marrja në konsideratë e deklarimeve të dëshmitarëve krijon në këtë mënyrë skemën e zhvillimit të mbledhjes së KRRT-së në momentin kur është aprovuar me shumicë votash dhënia e lejes për ndërtim të objektit përbri rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë.

Bime: Dëmi total 80 milionë lekë

"Një gabim i vogël njerëzor ka shkaktuar 80 milionë lekë". Këtë fakt e ka publikuar kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, gjatë ditës së sotme. Qysh në ditën e parë të tragjedisë, pushteti vendor ka bashkëpunuar me Prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës për të paguar faturat financiare për shpenzimet e hotelerisë, ushqimit, si dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme që iu nevojitet familjeve të prekura", është shprehur Bime. Sipas tij, vlera e dëmit të shkaktuar në humbjen e apartamenteve shkon në rreth 80 milionë lekë, duke llogaritur këtu edhe orenditë shtëpiake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›