Vrau vëlla e motër, burg përjetë 77-vjeçarit
TIRANE - Plot 25 vjet burg i duhet të vuajë në qeli plaku 77 vjeçar Hajdar Puci, i gjetur fajtor për vrasje të dyfishtë ndaj vëllait dhe motrës së personit, që e akuzonte për vrasjen e dy djemve të tij, katër vjet më parë. Gjykata e Tiranës, pasi dëgjoi prokurorin që kërkoi dy dënime të përjetshëm për plakun me origjinë nga Kukësi dhe vetë të akuzuarin e mbrojtjen e tij që kërkuan dënim minimal, vendosi ta dënonte përjetë atë. Duke vazhduar me dënimin, gjykata vendosi ndaj tij edhe një gjobë 10 milionë lekë të reja. Por pranimi i gjykimit të shkurtuar në këtë proces është shkak, që dënimi maksimal për Pucin të jetë 25 vjet, kohë pas të cilës ka pak gjasa që i dënuari të jetë gjallë, si dhe t'i ulet një treta e gjobës. Kjo për shkak të moshës së tij, tashmë 77-vjeçare dhe sëmundjeve të shumta nga të cilat vuan dhe që stimulohen nga mosha dhe jeta e qelisë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 janar të këtij viti, në një rrugicë pranë Institutit Bujqësor në Kamëz, kur 77-vjeçari Puci, vrau në një pritë afër banesës së tyre Mimoza Ferhatin dhe vëllain e saj Bilbil Ferhati. Ndërsa pas krimit u vetëdorëzua në polici ku rrëfeu se shkak për krimin ishte gjakmarrja, pasi pretendonte se vëllai i dy viktimave të tij ishte autori i vrasjes së dy djemve të tij Ferit dhe Din Puci në vitin 2004. fa.ma.