Shitja e duhanit, Tatimet ndryshojnë rregullat e taksimit
Ervin KOÇI
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përcaktuar një skemë të re për llogaritjen e detyrimit ndaj tregtarëve që shesin artikuj të duhanit. Përmes një shkrese dërguar drejtorive nëpër rrethe, Tatimet sqarojnë se, TVSH-ja do t’i merret vetëm importuesit, kurse tregtarit do t’i llogaritet TVSH-ë vetëm te fitimi i komisionit. Referuar udhëzimit nr.17 të Ministrisë së Financave, pika 9.5, sqarohet se, janë furnizuesit kryesorë ata që llogarisin TVSH-në mbi vlerën e tatueshme të çdo furnizimi që ato kryejnë. Furnizimi i cigareve në vazhdim nga furnizuesit e ndërmjetëm, për furnizues të tjerë të ndërmjetëm apo për njësitë e shitjes me pakicë, do të konsiderohet jashtë objektit të TVSH-së dhe këta persona blerës nuk kanë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e faturuar nga furnizuesit kryesorë në lidhje me atë furnizim. “Fatura e lëshuar nga furnizuesit e ndërmjetëm dhe hallkat në vazhdim do të jetë faturë tatimore, por në kolonën e TVSH-së së saj nuk paraqitet TVSH”,- nënvizojnë Tatimet. Ndërkohë, komisioni i përfituar nga furnizuesit e ndërmjetëm është i tatueshëm si furnizimi i një shërbimi kryer prej tyre. Mbi vlerën e tij zbatohet TVSH-ja në shkallën tatimore 20 për qind, e cila është e kreditueshme për përfituesin e shërbimit brenda përcaktimeve të nenit 33 të ligjit të TVSH-së. Nëse tatimpaguesi që merr furnizimin e parë, është tatimpagues i taksës vendore mbi biznesin e vogël (jo tatimpagues i TVSH-së), ai do t'i faturojë furnizuesit kryesor vlerën e ndërhyrjes në treg, pa llogaritur TVSH-në.
Akciza
Të ardhurat e buxhetit të shtetit gjatë viteve të fundit nga akcizat janë rritur me shpejtësi, me mbi 20 për qind në vit, furnizuar kjo në masë të gjerë nga rritja e akcizave. Gjatë pesë viteve të fundit, këto lloj taksash që rëndojnë mallra të rëndësishëm, janë dyfishuar e në disa raste, edhe trefishuar. Shqiptarët paguajnë sot dy herë më shumë taksa për cigaret e pijet alkoolike dhe 60-70 për qind më shumë për çdo litër naftë të konsumuar, në krahasim me vitin 2004. Shqiptarët pritet të paguajnë edhe më shumë për këto mallra, duke filluar nga vjeshta e këtij viti. Qeveria ka njoftuar një rritje të re. Megjithatë, rezultati i pagesave të tepërta të qytetarëve nuk po pasqyrohen në buxhet. Të ardhurat nga akcizat kanë shkaktuar më shumë se gjysmën e deficitit në të ardhura buxhetore. Rritja e akcizave shoqërohet pothuajse gjithmonë me rritje të gatishmërisë së njerëzve për të rrezikuar, duke u marrë me mallra kontrabandë. Për më tepër, vendet fqinje me ne kanë tani për tani çmime të mallrave me akcizë më të lira në Shqipëri, gjë që krijon një hapësirë për kontrabandistët. Akcizat japin rreth 13 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit, ose 300 milionë euro në vit.
Të ardhurat
Sipas planit, administrata doganore duhet të mblidhte rreth 110 miliardë e 36 milionë lekë, por fakti është se kanë mundur të realizojnë gjatë 2009-s vetëm 108 miliardë e 759 milionë lekë, me një diferencë mangët rreth 3 miliardë e 122 milionë lekë (afro 35 milionë dollarë). Shkak i rezultateve të dobëta është edhe taksa doganore, e cila në katër vitet e fundit është reduktuar si pasojë e marrëveshjeve tregtare me BE-në, duke sjellë mesatarisht ulje të ardhurash me 1.5 miliardë lekë. Ndërkaq, të ardhurat nga akciza kanë pasur një rënie modeste, me rreth 400 milionë lekë, ndërsa totali gjatë vitit të kaluar ishte 20 miliardë e 486 milionë lekë. Historiku tregon se nga akciza dogana vilte çdo vit rreth 3.5 miliardë lekë më shumë, por në vitin e fundit kriza e frenoi rritjen, madje e ka ulur atë. Importet janë shkaku kryesor, pasi u regjistruan rreth 9 miliardë lekë më pak mallra se në vitin 2008. Pavarësisht kësaj, dogana arriti të ketë më shumë të ardhura se një vit më parë, falë mekanizmit të gjobave dhe referencave. Edhe TVSH-ja, taksa kryesore që siguron të ardhura, e ka frenuar rritjen, nga 10 miliardë lekë mesatarisht çdo vit, në fund të 2009-s regjistroi një rritje më pak se 2 miliardë lekë.
INSTAT: Rritja e çmimit të ushqimeve ka rritur koston e jetesës
Kostoja e jetesës në vend ka pësuar rritje kryesisht për shkak të shtrenjtimit të produkteve ushqimore. Viti 2010 duket se nuk do të jetë një vit i mbarë për ata qytetarë të cilët kanë të ardhura të kufizuara për të bërë një jetë normale. Por ai do të jetë i vështirë edhe për ata që duan të kursejnë sadopak nga rrogat e tyre. Kjo pasi të gjitha çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit janar dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në muajt në vazhdim. Instituti i Statistikave ka konstatuar se inflacioni në këtë fillim-viti ka arritur në nivelin 3.6 %, shumë pranë limitit 4 %, të lejuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas përfaqësues së INSTAT, Hazbie Bunguri, grupi i ushqimeve dhe i pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 1.3 %, ku brenda këtij grupi, rritjen më të madhe e shënuan nëngrupi i zarzavateve, përfshirë dhe patatet, por rritje kanë pësuar edhe çmimet e duhanit dhe karburanteve. E thënë në vlerë absolute, çmimet kanë shënuar rritje nga 20 lekë për produktet ushqimore, deri në mbi 100 lekë për zarzavatet. Qytetarët ankohen se me këto çmime menyja e tyre e tavolinës do të reduktohet ndjeshëm. Ndërkohë që edhe perimet e tjera si preshi, apo ushqimet e importit si sheqeri, orizi apo vaji janë rritur. Çfarë parashikohet të ndodhë është se në muajin shkurt inflacioni do të vijojë të rritet për shkak edhe të reflektimit të tarifave të reja të energjisë elektrike, pasi fatura e konsumit të janarit reflektohet në muajin pasardhës. Nëse kësaj situate do t’i shtohen edhe pagesat që kryejnë qytetarët e pasiguruar për shërbimet spitalore, të cilat nuk janë të përfshira, atëherë norma e inflacionit do të ishte dhe më e lartë. Ndikim në këtë situatë ka dhënë forcimi i Euros dhe çmimet e larta të importit, por edhe mungesa e prodhimit vendas.
Tendenca e rritjes së inflacionit ka nisur që në muajin dhjetor, kohë e cila njihet si një periudhë që çmimet rriten në mënyrë artificiale, për shkak të festave të fundvitit.
9 Shkurt 2010