E Diel, 1 Nëntor 2026

In memoriam: Goditja e fundit e çekiçit

Thimi Samarxhiu

Në sallë u dëgjua goditja e fundit e çekiçit dhe më pas ra heshtja. Një karrige bosh, një buzëqeshe e munguar, një batutë e lënë përgjysmë dhe një dorë që nuk e prek më dosjen. Dikush mungon…
Goditja e fundit e çekiçit mbart veç dhimbje dhe aspak kënaqësinë e një procesi të mbyllur. Më 6 shkurt zemra e gjyqtarit Xhelal Elezi rrahu për të fundit herë, duke i lënë vendin qetësisë së përjetshme. Fytyra e qeshur e gjyqtarit që nuk njihte kompromise të pista nuk do të shihet më në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda; buzëqeshja e përmëngjesshme e tij nuk do të shkëmbehet më me policët e Gjykatës; këshillat si të një babai nuk do të dëgjohen më nga kolegët e tij; zëri gatshëm për çdo pyetje nuk do të dëgjohet më në telefonat e gazetarëve….
Goditja e fundit e çekiçit u dëgjua në spital, ku zemra e tij ndali mbrëmjen e 6 shkurtit. Me qindra dosje dhe fletë që janë shfletuar nga ato duar tashmë heshtin dhe nderojnë figurën e tij.
Jeta e një gjyqtari është e lidhur ngushtë me sallën e gjyqit. E tillë ishte dhe jeta e Xhelal Elezit, i cili për vite me radhë gjykoi qindra e qindra krime, duke u dhënë dënimin e merituar atyre që shkelën ligjet e këtij vendi.
Një gjyqtar jeton në sallë e gjyqit. Qesh, debaton, nervozohet dhe gëzohet aty. Jeta e Xhelal Elezit ishte e lidhur shumë ngushtë më atë ambient të vogël, aq sa dhe zemra aty dha shenjën e parë të dorëzimit. Në mes të një procesi zemra e tij dha goditjen e parë, që rezultoi dhe fatale, duke mos i lënë asnjë mundësi “apelimi” gjyqtarit. Të pandehur, avokatë dhe prokurorë harruan dosjen, krimet e akuzat dhe rendën pas gjyqtarit, i cili humbi ndjenjat.
Një kafe u la përgjysmë dhe një këshillë e fundit nuk u dëgjua. Kolegë, miq dhe të njohur goditën për të fundit herë çekiçin në shenjë nderimi për atë person që asnjëherë goja nuk i tha një fjalë të keqe, për atë person që asnjëherë nuk u pa i nervozuar, për atë person që gjithnjë dinte të shfaqte veç mirësi.
Një karrige bosh në sallë dhe një çekiç që troket për të fundit herë mbi tavolinë duket sikur do të thotë… lamtumirë Xhelal Elezi.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›