E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës mendon për buxhetin, shteti e lë në mëshirë të fatit

Laureta Rryçi

Është dashur analiza vjetore që drejtuesit e Gjykatës së Tiranës të numëronin të gjitha problemet ekzistuese si për gjyqtarët, ashtu dhe për pjesën e administratës në tërësi. Kryetari i kësaj gjykate, Artan Zeneli, u ka kujtuar dje aktorëve kryesorë të Drejtësisë shqiptare, por jo vetëm, se kjo gjykatë i jep shtetit çdo vit rreth 120 milionë lekë të rinj dhe merr vetëm një fond prej 150 milionë lekësh të vjetër. Shqetësim ky që në të vërtetë është ngritur prej vitesh nga kjo gjykatë, mirëpo gjithmonë duket se ka rënë në veshin e shurdhër pasi as pushteti ekzekutiv, por edhe zyra e administrimit të buxhetit Gjyqësor nuk e ka rritur fondin për këtë gjykatë.
Analiza
Kryetari i Gjykatës së Tiranës kishte ftuar dje të gjithë aktorët kryesorë të Drejtësisë. Në panel ishte ministri i Drejtësisë, Buajr Nishani, numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, si dhe kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatëve, Maks Haxhia.
Në fjalën e tij të hapjes, kryetari i Gjykatës, Artan Zeneli, vuri në dukje se Gjykata e Tiranës është më e madhja në vend dhe me një volum tepër të madh pune. Zeneli ngriti shqetësimin për buxhetin tepër të vogël për këtë gjykatë, buxhet që sipas tij nuk plotëson kushtet dhe kërkesat për një pagesë të mirë dhe infrastrukturë moderne. Artan Zeneli tha dje gjatë fjalës së tij se Gjykata e Tiranës i jep shtetit 120 milionë lekë të rinj në vit nga taksat që mbledh, ndërsa merr prej tij vetëm një buxhet vjetor që kap shifrën e 150 milionë lekëve të vjetër. “Ju duhet ta kuptoni se në ç’gjendje është Gjyqësori që në momentin kur kemi përpara këto shifra”, - tha Zeneli. Më tej ai u shpreh se shqetësues është dhe fakti që sekretaret janë të papaguara mirë dhe për këtë pjesë të Gjyqësorit nuk ka buxhet të përcaktuar. Sallat e munguara, numri tepër i madh i dosjeve, zvarritjet e proceseve gjyqësore si dhe puna jo e mirë e Prokurorisë kur është fjala për shuarjet e masave të sigurimit, janë disa nga pikat që theksoi dje Artan Zeneli.
Shifrat
Për vitin 2009 janë regjistruar në këtë gjykatë 28 596 çështje civile dhe penale, janë përfunduar 22 549 dhe mbartura për këtë vit 6047. Janë dhënë 565 masa arresti me burg, 16 me burg pa afat, 151 arrest shtëpie dhe 419 detyrim për paraqitje. Sipas statistikave, volumi i çështjeve për vitin 2009 ka qenë më i madh sesa i viteve të mëparshme. Vetëm çështje civile janë regjistruar 22 505, penale 4470 ushtarake 214, masa sigurimi 1407.

Ministri Bujar Nishani: “Kemi nisur inspektim nëpër gjykata”
Në analizën e djeshme të Gjykatës më të madhe në vend tha fjalën e tij edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ministri u shpreh se Gjyqësori do të ketë përparësi duke shtuar më tej se syri dhe vëmendja e të gjithë opinionit publik është pikërisht këtu. Sipas Nishanit, ndarja e Gjykatës Penale nga ajo Civile, ndonëse solli diçka të re, nuk do të thotë se ka zbutur gjithë problematikën. Sipas tij, duhen kushte normale pune, të cilat lidhen pikërisht me sistemimin e sallave të gjyqit dhe heqjen njëherë e mirë të praktikës së zhvillimit të gjyqeve nëpër zyra. Ndërkaq, ministri u kujtoi të pranishmëve se prej pak kohësh kanë nisur një inspektim për të parë gjyqtarët që kanë probleme me dosjet që kanë marrë për shqyrtim.
Boc

Kreshnik Spahiu: “Gjyqtarët kanë nevojë për paga dhe siguri”

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, solli dje në vëmendje të të gjithëve se Gjykata e Tiranës është më e varfra në Republikën e Shqipërisë për nga infrastruktura, kur ka arkëtuar fonde më shumë sesa çdo gjykatë tjetër nga taksat gjyqësore për shkak të volumit të çështjeve. “Madje Gjykata Tiranës është më e varfra në Europën Perëndimore dhe atë Lindore, madje më e varfër krahasuar me të gjitha gjykatat e kryeqyteteve të Afrikës Veriore apo Amerikës Latine”, - tha Spahiu. Më tej numri dy i KLD-së shpjegoi se kjo është gjykata që shkakton më shumë pakënaqësi në perceptim me të tretët, kur rezulton cilësore në mbi 50% nga statistikat e vendimeve të lëna në fuqi. Sipas Spahiut, këta gjyqtarë kanë nevojë për një infrastrukturë, rroga më të larta dhe më shumë siguri. “Është gjykata me dy seli dhe një drejtues, nga e cila preken më shumë se kudo tjetër në Shqipëri interesat e drejtimit të vendit, por fatkeqësisht këtë gjykatë investimet nuk e prekin shumë, aq sa është më e lehtë ta pranojmë si një person juridik me dy qendra, sesa t’i gjejmë një godinë më parë”, - përfundoi kështu fjalën e tij Kreshnik Spahiu.

Beçaj: “Ngarkesa e gjyqtarëve është dramatike”

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ishte një nga të ftuarit që ndodhej në panelin për analizën vjetore të punës të Gjykatë së Shkallës së parë Tiranë. Kryetarja e Gjykatës së Lartë u ndal në fjalën e saj duke thënë se është dramatike situata e mbingarkesë së gjyqtarëve në këtë gjykatë. Më tej ajo u shpreh se busulla e gjithë Gjyqësorit është ligji dhe vetëm ligji. Sipas Beçajt, nëse gjyqtarët do të zbatojnë ligjin në çdo pikë të tij, edhe korrupsioni do të eliminohet dhe në këtë rast publiku do të ketë vëmendjen më të madhe te e gjithë trupa gjyqësore. “Ne nuk kemi sistem të korruptuar, por në Gjyqësor ka individë të tillë. Çfarë duhet bërë për këtë? Unë them se rritja e përgjegjësisë do të jetë një trajtim shumë i mirë për korrupsioni.

Maksim Haxhia: “Të rritet taksa për paditë që regjistrohen”

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, pranoi dje pjesërisht disa gabime të avokatëve që kanë lidhje me zvarritjet e gjyqeve dhe mosparaqitjen në seanca gjyqësore. “Unë mendoj se nga ana e gjyqtarëve po abuzohet me thënien ‘drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar’”, - tha dje numri një i avokatëve në vend. Haxhia u shpreh dje se është dakord që më mirë të zgjatet një proces gjyqësor, sesa të mbyllet në një afat kohe të përcaktuar me ligj dhe në fund të mos kemi rezultatin e pritur. “Në shumë vende të Europës proceset gjyqësore zgjaten deri në shtatë vjet, ndërkohë që në vendin tonë afati ligjor është dy vjet”, - tha Maksim Haxhia. Maksim Haxhia hodhi dje alternativën se të gjithë njerëzit që kërkojnë të regjistrojnë padi civile ose penale në gjykatë, në radhë të parë duhet të paguajnë, duke investuar në fillim me taksat dhe më pas të presin vendimin e gjykatës.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›