Saldatriçja e gjetur, rikthen në vendngjarje ekspertë dhe avokatë
Laureta Rryçi
Oficerë të Policisë Gjyqësore, avokatë dhe një ekspert i caktuar nga Gjykata janë rikthyer në fshatin Gërdec për të inspektuar edhe njëherë vendin ku rreth dy vjet me parë ndodhi shpërthimi tragjik, i cili mori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Sipas vendimit të dhënë një seancë më parë nga Gjykata, ekspertët kanë këqyrur vendin ku më datën 8 janar 2010 u zbulua saldatriçja, e cila mendohet të ketë shkaktuar tragjedinë. Ajo është zbuluar në rrënojat e shtëpisë së Qemal Deliut, e cila ndodhej fare pranë fabrikës, nga ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët vazhdojnë procesin për kontaminimin e zonës. Saldatriçja është konsideruar një provë kryesore nga prokuroria, sipas së cilës, shkak për shpërthimin tragjik është bërë një karrocë e salduar vetëm pak minuta para ndezjes së barutit nga Qemal Deliu në shtëpinë e tij dhe e sjellë në fabrikë ende pa u ftohur. Mësohet se grupi që ka qenë dje në vendngjarje ka kërkuar elemente të reja në vendin ku u gjet saldatriçja dhe kanë marrë në cilësinë e provës edhe një karrocë, pranë së cilës janë gjetur dy predha të pashpërthyera. Një nga avokatët që ishte dje i pranishëm, Vladimir Meçi, ka sqaruar për mediat se saldatriçja ndodhej para shtëpisë së Qemal Deliut. Avokati Meçi mbron në procesin e Gërdecit një nga ish-ushtarakët e akuzuar për tragjedinë, Shpëtim Spahiun.
Eksperimenti
Për këtë arsye prokurorët kanë kryer edhe një eksperiment në vendin e ngjarjes, për të matur ekzakt kohën që i duhet një personi për të shkuar nga banesa në oborrin e ish-punishtes së demontimit. Sipas burimeve nga grupi i ekspertëve ka rezultuar se mjaftojnë vetëm 47 sekonda për të përshkuar rrugën mes shtëpisë dhe fabrikës, ndërkohë që për ftohjen e karrocës duhet të kalojnë rreth 3 minuta. Menjëherë pas këtij eksperimenti, saldatriçja është marrë në cilësinë e provës materiale. Tashmë ...............që avokatët të ngrenë pretendimet e tyre në seancë për këtë material shtesë në dosjen në gjykim. Vetëm një seancë më parë, i biri i Qemal Deliut ka hedhur poshtë pretendimin e prokurorisë për një saldim të mundshëm nga i ati vetëm pak çaste nga shpërthimi. Ndërkohë që dëshmitarë të tjerë kanë theksuar se zjarri ka ardhur pas mbërritjes së karrocës në oborrin e fabrikës.
Saldatriçja
Saldatriçja me të cilën dyshohet se është salduar karroca ditën e ngjarjes u gjet më 8 janar 2010 nga forcat e ushtrisë gjatë pastrimit të zonës. Në tragjedinë e Gërdecit gjetën vdekjen 26 persona, u plagosen 300 të tjerë, ndërsa akuzohen 29 persona. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.
Dëshmia që konfirmon se zjarri u shkaktua nga karroca e salduar
Për herë të parë në procesin e Gërdecit, një nga dëshmitarët konfirmoi dje alibinë e Prokurorisë mbi shkaktarin e zjarrit në fabrikën e Gërdecit. “Sapo karroca e salduar ka hyrë afër barutit, gjithçka ka shpërthyer. Presioni i shpërthimit na ka fluturuar disa metra mua dhe punëtorët e tjerë që ishim rreth 40 metra larg sasisë së barutit”. Kjo ishte dëshmia e Haxhi Hoxhës, një nga punëtorët në fabrikën e Gërdecit, e cila duket se do të nënvizohet mirë në procesverbalet e këtij procesi gjyqësor. Për herë të parë dëshmitari dha para trupit gjykues dhe palëve që janë në proces një dëshmi konkrete duke sqaruar disa herë më radhë. Haxhi Hoxha, një nga ish-punonjësit e fabrikës së Gërdecit, deklaroi në Gjykatë se shpërthimi në fabrikën e demontimit në Gërdec erdhi si pasojë e saldimit të një karroce. Sipas tij, karroca është salduar nga Qemal Deliu, ndërkohë nuk kujton personin që e ka kthyer sërish në fabrikë. “Karroca mori flakë sapo ra në kontakt me barutin, në një kohë që brenda saj nuk ishte hedhur ende barut”, - tha Hoxha duke konfirmuar pistën e Prokurorisë se Gërdeci se gjithë tragjedia është si pasojë e gabimit njerëzor.
Uran Deliu, dëshmitari që rrëzoi alibinë e Prokurorisë
Uran Deliu, një nga të paktët të mbijetuar të familjes Deliu në Gërdec, rrëzoi pak ditë më parë me dëshminë e tij alibinë e Prokurorisë se Gërdeci shpërtheu nga një karrocë që po saldohej. “Në fabrikë kishte karroca, të cilat kur prisheshin i saldonte babai në shtëpi. Saldatorë të tjerë kam parë vetëm një herë kur u prish porta e madhe e fabrikës. Ditën e ngjarjes ka pasur një saldatriçe në oborrin e shtëpisë, por atë ditë babai nuk ishte në shtëpi. Ai nuk ka salduar asnjë karrocë atë ditë. Përsa i përket Vangjelit, ose ndryshe Veiz Muça, ai vinte te shtëpia ndonjëherë. Ndërsa Dritan Minxolli nuk futej brenda, por vinte deri te dera e shtëpisë”, - deklaroi dje Uran Deliu. Më pas ai shpjegoi: “Ditën e ngjarjes ndodhesha në shtëpi, e cila ndahet nga fabrika vetëm nga një rrugë. Në ato momente unë isha në oborr me djalin dhe vëllanë. Dëgjuam një shpërthim të fuqishëm dhe ikëm më vrap. U futa në një bunker dhe më pas u ktheva për të kërkuar familjen. Erdhi policia dhe së bashku me ata shkuam te shtëpia ime, por nuk gjeta asnjë njeri”. Dëshmitari kishte mësuar nga personat rreth e rrotull se prindërit i kishte në spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa djalin, bashkëshorten dhe vëllanë nuk arriti dot t’i gjente. “Gruan dhe vëllanë i gjeta pasi kishin kaluar dy ditë nga shpërthimi, ndërsa djalin vetëm pas tri ditësh. Nga tragjedia e Gërdecit humba pesë anëtarë të familjes sime, nënën, babanë, gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ndërsa shtëpia u shkatërrua e gjitha nga shpërthimi”, - tregoi dëshmitari mbi tragjedinë që kishte pllakosur familjen e tij. Dëshmitari, në fund të dëshmisë së tij, tha: “Gjatë kohës që prindërit punonin në fabrikë, kur kisha kohë të lirë, shkoja dhe i ndihmoja. Si drejtues të fabrikës e dija që ishin Dritan Minxolli dhe përgjegjësi Vangjeli. Mihal Delijorgjin e kam parë në fabrikë, mbaj mend një rast zjarri në fabrikë, i cili u shua me ujë”.
9 Shkurt 2010