E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet kambisti, gjykata e dënoi me burg

Gjykata dënon me burg një kambist për akuzën e "ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë", policia e arreston. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme është bërë arrestimi i Kastriot Dyrmishit, 45 vjeç. Policia tha se ndaj 45-vjeçarit, banor në lagjen "Çlirim" të këtij qyteti ka një urdhër-arresti që mban datën 15 dhjetor të vitit të kaluar me qëllim ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Gjykatat e Shkallës së Parë në rrethin e Beratit me një vendim me numër 156 të 15 dhjetorit të vitit të kaluar e ka dënuar Dyrmishin me një muaj burg për veprën penale të "ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë". Dyrmishi u gjykua në gjendje të lirë, pasi ushtronte veprimtarinë e këmbimit valutor në rrugët e qytetit, ndërkohë që pasi është dënuar nga gjykata me një muaj burg është arrestuar për vuajtjen e dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›