E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 150 policë patrulle ngrihen në gradë dhe në pagë

Ngrihen në gradë 150 punonjës policie në patrullën e përgjithshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ky është brezi i parë i patrullës, i cili fiton gradën "inspektor", por bashkë me të ka fituar edhe ngritje page. Ditën e djeshme, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës u zhvillua ceremonia e përmbylljes së fazës së parë të implementimit të Patrullës së Përgjithshme të Policisë. Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Trajnimin Policor, Ahmet Haxhia, përfaqësues të misionit PAMECA dhe Programit ICITAP. Në këtë ceremoni 105 punonjës të Patrullës së Përgjithshme kanë fituar gradën "inspektor". Meqë, policia paguhet sipas gradave dhe funksionit në polici, këta 105 punonjës do të përfitojnë edhe një ngritje të vogël në pagë. Gjatë kësaj ceremonie, në fjalën e tij, kreu i policisë kryeqytetase, Tonin Vocaj, u shpreh se "është kënaqësi e veçantë për mua dhe një privilegj për drejtorinë, që po përmbyll fazën e parë të implementimit të Patrullës së Përgjithshme të Policisë". Sipas drejtorit të policisë së Tiranës, për të arritur deri këtu, është dashur kohë dhe punë voluminoze, planifikim disamujor, mundim dhe sakrifica, pasi të jesh i pari në futjen e koncepteve të reja të policimit, është gjithmonë e vështirë. Ndërsa, Prenci, në lidhje me misionin e Patrullës së Përgjithshme, pohoi se ky brez ka misionin për të ndryshuar mentalitetet e vjetra në polici. "Bëni më të mirën që dini dhe do të shikoni se do të jeni të suksesshëm. Eksperienca e grupit të parë të patrullave që përfundoi periudhën e provës, na bën optimistë për suksesin e nesërm", tha Prençi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›