Kontrabandë cigaresh nga porti, prangosen dy vëllezër
Kontrabandë cigaresh, prangat shtrëngohen në duart e tre personave. I blinin me çmim të leverdishëm dhe me shumicë në një traget që bën transportin e udhëtarëve mes dy brigjeve të Adriatikut për t‘i shitur më pas në tregun e Durrësit dhe nxjerrë fitime prej kësaj tregtie. Vëllezërit Adriatik dhe Sefer Allkushi, përkatësisht 28 dhe 23 vjeç, lindur në Berat dhe banues në lagjen 18 të qytetit bregdetar të Durrësit, si dhe Avni Bregu, 25 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në të njëjtën lagje janë arrestuar nga shërbimet e policisë në kohë të ndryshme gjatë ditës së djeshme. Burimet policore thanë se arrestimi u bë pasi dy vëllezërit Allkushi u kapën në flagrancë duke nxjerrë nga porti detar 600 paketa të markës "Marlboro" dhe "Murati", pa pullë fiskale. Nga hetimet rezultoi se i kishin blerë në tragetin "Venecia". Ata akuzohen për kontrabandë mallrash për të cilat paguhet akcizë, parashikuar nga neni 172 i Kodit Penal. Pas veprimeve të para të agjentëve të antikrimit ekonomiko-financiar rezultoi se dy vëllezërit bashkëpunonin me Bregun. Ky magazinonte mallin dhe më pas siguronte shpërndarjen dhe shitjen në treg të cigareve. Në momentin e ndalimit, Avni Bregut iu gjetën 6 steka me cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjetën edhe 87 steka të tjera të markave të ndryshme. Ai duhet të përgjigjet për veprat penale të transportimit dhe tregtimit të mallrave kontrabandë, si dhe ruajtje dhe depozitim të mallrave kontrabandë, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 178 dhe 179 të Kodit Penal. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Durrësit, arrestimi u bë në vijim të zbatimit të planit të masave të hartuar nga kjo drejtori me qëllim goditjen e personave që kryejnë kontrabandë me mallra për të cilën paguhet akcizë.