Shtyrja e Bandës së Lushnjës, revoltohen dëshmitarët e akuzës
Revoltohen dëshmitarët e prokurorisë për Bandën e Lushnjës, duke deklaruar se nuk do vijnë më në Tiranë për shkak të shpenzimeve, pasi seancat po shtyhen herë pas here. Me një ton të ashpër, gjashtë dëshmitarët kanë "kërcënuar" gjykatën se nuk do të paraqiten më në seancën gjyqësore, e cila vetëm është shtyrë. "Kemi ardhur 10 herë, na pyesni ç‘keni për të na pyetur. Nuk vijmë më. Kemi fëmijë për të ushqyer, do punojmë", kanë deklaruar dje dëshmitarët. Kanë qenë efektivat e punonjësve të policisë ata që i kanë qetësuar dëshmitarët. Ndërsa trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Marsela Bilali, i ka sqaruar se nuk do të njoftohen për seancën e radhës, pasi ishin prezentë dje në sallë dhe morën dijeni për datën e ardhshme, me përjashtim të dëshmitarëve, të cilët janë shoqëruar nga forcat e policisë. Shkak për dështimin e seancës së djeshme gjyqësore ishte mungesa e dy prej avokatëve mbrojtës. Njëri prej mbrojtësve kishte vënë në dijeni gjykatën që ishte i sëmurë, për këtë fakt, gjykata vendosi ta shtynte procesin në një datë tjetër.