“Shtyrja e gjyqit na kalbi në burg”
TIRANE - Mungesat e paarsyetuara të avokatëve u kanë ardhur "në majë të hundës" edhe vetë të pandehurve të procesit gjyqësor të dosjes "Karaburun 2006". Në seancën e radhës në Gjykatën për Krimet e Rënda të pandehurit e çështjes i kanë kërkuar njëzëri kryesuesit të seancës, gjyqtarit Dritan Hallunaj, marrjen e masave kundrejt mbrojtësve të tyre ligjorë. Pasi është konstatuar mungesa e disa prej avokatëve, pala e akuzës ka kërkuar shtyrjen e seancës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i të pandehurve. "Nëse krijohet mundësia, ta bëjmë gjyqin se u çmendëm këtu. T'i zhvillojnë dy herë në javë seancat. Kush mungon të zëvendësohet. Merrni masa. Këta avokatët një muhabet kanë", i janë shprehur të pandehurit trupit gjykues. Në vijim gjykata vendosi zëvendësimin e njërit prej mbrojtësve që mungonin si dhe shtyrjen e seancës për një datë tjetër. Gjithashtu u vendos se pas dy seancash në vazhdim, gjykimi i çështjes do të kryhet dy herë në javë. Të pandehurit e kësaj çështjeje për trafik droge janë Alket Muçaj, Alfred Beqiri, Arben Maskaj, Bernard Ali, Blerim Shehaj, Frederik Ali, Hysen Mehmeti, Kujtim Drazhi, Laurent Pashaj, Roland Kapxhiu, Spartak Myslimi, Genci Arapi, Edmond Beqiri, Michele Guarino, Mustafa Zaho dhe Selam Binaj. ar.ba