Arrestohet këngëtari me 340 kg marijuanë
GJIROKASTER - Këngëtari i muzikës alternative kapet duke transportuar drogë. Niko Fuqi, i njohur me emrin artistik Papa Joe nga Gjirokastra, u arrestua mbrëmjen e së enjtes duke transportuar 340 kg marijuanë të presuar, në drejtim të Sarandës. Specialistët e sektorit Kundër Krimit të Organizuar organizuan operacionin e koduar “Stuhia”, pasi pikasën automjetin që transportonte drogë nga Lazarati. Ndjekja e automjetit “Benz” furgon me targa GJ 13 41 B ka vazhduar deri në urën e Gajdarit në hyrje të Sarandës. Në këtë vend, drejtuesi i mjetit Niko Fuqi 26 vjeç, djali i ish-deputetit të PPSH-së në Parlamentin e parë pluralist të vitit 1991, Foto Fuqi, ka pikasur se policia po e ndiqte dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi për t’i shpëtuar arrestimit. Në këtë moment, blutë kërkuan ndihmën e kolegëve të tyre në Sarandë, me qëllim bllokimin e rrugës. Si rezultat i mbylljes së të gjitha shtigjeve, policia ka arritur të bllokojë rrugëtimin e fugonit, të mbushur me drogë si dhe arrestimin e Fuqit. Nga këqyrja e bërë nga grupi hetimor i Policisë së Qarkut, automjetit të bllokuar iu gjendën 10 çanta shpine me ngjyrë të zezë, si dhe 13 thasë plastmasi, brenda të cilave kishte mallin narkotik të llojit marijuanë. Kjo e fundit ishte depozituar në brendësi të thasëve dhe çantave të shpinës në pako me forma cilindrike, të mbështjella me letër ngjitëse transparente. Pas peshimit të marijuanës rezultoi se pesha e saktë ishte 340 kg. p.n