Gjyqi i Shullazit, Krimet e Rënda zëvendësojnë Balilin
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda ligjëroi dje pesëshen gjykuese, e cila do të rishqyrtojë dosjen e të pandehurve Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati në këtë gjykatë. Pas formimit dhe legjitimimit të trupës gjykuese, e cila ka ndryshuar disa herë në seancat e parë të këtij procesi, pritet që në seancën e ardhshme të nisë shqyrtimi gjyqësor. Ndryshimet në anëtarët e trupës gjykuese kanë ardhur si rezultat i konsumimit të togave të zeza të Krimeve të Rënda gjatë gjykimit të parë të Shullazit dhe Ferhatit në këtë gjykatë, si dhe për shkak të vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra të gjyqtares Marsela Balili. Gjyqtarja Balili deri në vendimin e datës 2 dhjetor të KLD-së që e pezulloi atë përkohësisht nga detyra, ishte kryesuese e trupës që gjykonte Shullazin dhe Ferhatin. Ndërkohë që një seancë më parë, një tjetër gjyqtar i deleguar nga Gjykata e Tiranës dha dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje, çka detyroi KLD të delegonte një tjetër togë të zezë. Seanca e djeshme, kryesohej nga gjyqtarja Flora Hajredini. Gjatë seancës kryesuesja Hajredini njoftoi për palët vendimin e KLD-së për delegimin e gjyqtarëve Petrit Çomo dhe Bujar Krasniqi nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për gjykimin e Shullazit dhe Ferhatit tek Krimet e Rënda. Pak ditë më parë KLD mori vendim me shumicë votash për t’i hequr imunitetin gjyqtares Marsela Balili si dhe për t’i hapur rrugë hetimeve ndaj saj për akuzën e korrupsionit. Dosja penale ndodhet në Prokurorinë e Durrësit në hetim pasi procedimi u regjistrua në Prokurorinë e Tiranës, por më pas u transferua për të shmangur konfliktin e interesit. Në vijim kryesuesja vendosi shtyrjen e seancës, për t’i dhënë kohë gjyqtarëve Çomo dhe Krasniqi për t’u njohur me dosjen. Dosja në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe Ervin Ferhatit tek Krimet e Rënda filloi rishqyrtim pas një vendimi të Apelit që e ktheu atë në Shkallën e Parë për të dytën herë. Në seancat e mëparshme të pandehurit kanë kërkuar gjykim me kohë të shkurtuar, por gjykata nuk është shprehur ende në lidhje me këtë kërkesë.