E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: I rregullt hetimi igjyqtares

 

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda Marsela Balili refuzoi të paraqitej në KLD ku do të njoftohej për heqjen e imunitetit dhe pezullimin nga detyra, për shkak të akuzës së ngritur ndaj saj. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet një deklarate publike të bërë mesditën e djeshme reagoi ashpër, duke pohuar se në mbledhjen e datës 2 dhjetor 2009, për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtares së Krimeve të Rënda Marsela Balili, është bërë në respektim maksimal të ligjit organik për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. “Sipas nenit 29 të ligjit për gjyqësorin, KLD është organi që autorizon procedimin penal ndaj një gjyqtari mbi kërkesën e prokurorisë, dhe vendimmarrja realizohet nga Këshilli pa një procedurë paraprake të dëgjimit të gjyqtarit, e lidhur kjo, me vetë natyrën diskrete të kërkesës për autorizim të procedimit penal dhe urgjencën e shqyrtimit të saj”, pohoi KLD-ja në njoftimin e djeshëm. Duke dhënë hollësi të mëtejshme KLD-ja pohon në njoftimin publik se pavarësisht nga mosparashikimi i shprehur në ligj për procedurën e njohjes paraprakisht nga gjyqtari, si dhe praktika e deritanishme e Këshillit, ku asnjëherë më parë gjyqtarët nuk janë vënë në dijeni për kërkesën e organit të akuzës, gjyqtarja Marsela Balili është njoftuar për t’u paraqitur në Këshill në ora 11:00 të datës 2 dhjetor, përpara shqyrtimit të kërkesës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Propozimi për këtë është bërë nga anëtari i KLD-së Neshat Fana dhe është pranuar prej Këshillit. Por ndaj këtij komunikimi, gjyqtarja Balili është përgjigjur shprehimisht se: “Në këtë orë dhe datë kam gjyq”. “Në kushtet e dhënies së autorizimit për procedim penal, pezullimi nga detyra i gjyqtares është pasojë direkte e ligjit dhe i është komunikuar menjëherë kryetarit të Krimeve të Rënda me shkresën  numër 2420 e datës 2 dhjetor 2009, me qëllim ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga gjyqtarja”, pohon KLD-ja duke shtuar se: “Me qëllimin e vetëm për të mos shkaktuar asnjë shtyrje apo vonesë në kohë të proceseve gjyqësore ku Balili ka qenë në trup gjykues, KLD, menjëherë pas pezullimit të saj nga detyra, ka marrë masa për të deleguar gjyqtarë në dy çështje gjyqësore, përkatësisht: Në çështjen me të pandehur Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati janë deleguar gjyqtarët e kryeqytetit Petrit Çomo dhe Bujar Krasniqi, si dhe në çështjen ndaj bandës së Lushnjës është deleguar gjyqtari tjetër kryeqytetas Albert Meça”, thuhet në njoftimin e KLD, ku argumentohet se kjo procedurë, e zakonshme për veprimtarinë e Këshillit, është përmbushur në respektim të plotë të kritereve për delegimin e gjyqtarëve, sipas vendimit respektiv të këtij institucioni për të garantuar vazhdimësinë dhe normalitetin e këtyre gjykimeve. Vendimi për heqjen e imunitetit të Balilit, që është marrë me unanimitet nga KLD, ka të bëjë specifikisht me aktet e një materiali procedues të lidhur me emrin e kësaj gjyqtareje, i cili referon në veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Ky material procedimor, në atribut të organit të ndjekjes penale dhe konkretisht të Prokurorisë së Durrësit është kërkuar të hetohet dhe është vlerësuar nga Këshilli të lejohet të hetohet”, përfundon njoftimi i KLD-së.  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›