Mjekët e Beratit kundër urdhrit të ministrisë për vizitat
BERAT - Mjekët e spitalit të Beratit kërkojnë të rishihet edhe një herë urdhri i Ministrisë të Shëndetësisë, për vizita vetëm me rekomandim nga mjeku i zonës. Shumë fëmijë që vijnë nga zonat rurale, për të marrë mjekimet në spitalin rajonal të Beratit rrezikojnë jetën për shkak të mungesës së rekomandimit. Prindërit e tyre nuk kanë pasur mundësi për të marrë një rekomandim ose për shkak të mungesës së mjekut të zonës, ose për shkak të largësisë nga qendra e komunës. Burime nga spitali bënë të ditur se në situata të tilla mjekët janë në dilemë të madhe për të vepruar. Ata nuk mund të rrinë indiferentë, kur iu vijnë të sëmurë për vizita, por nga ana tjetër, kanë edhe një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse ata e thyejnë këtë urdhër, atëherë do të përballen me ndëshkime. Mjeku specialist pediatër, Vladimir Kumbaraku, u shpreh se “jemi përballë një sikleti të madh. Shumë fëmijë na vijnë nga zonat e thella malore në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata i drejtohen spitalit për shkak se nuk kanë mjek në fshatin e tyre. Në këto kushte, na kanë vënë në vështirësi të madhe”, tha mjeku Kumbaraku. Fëmijët nga zonat malore, si komuna e Tërpanit, e Vërtopës, Gjerbësit, për shkak edhe të largësisë, mbërrijnë në spital me disa orë vonesë e për rrjedhojë gjendja e tyre shëndetësore rëndohet gjatë rrugës. Nëse ata nuk kanë një rekomandim nga mjeku i zonës, atëherë vizitën duhet ta bëjnë me pagesë, që fillon nga 2 mijë lekë e lart. Shumë prej tyre ankohen se nuk kanë para. Prindërit shpeshherë pas përkeqësimit të gjendjes së fëmijëve të tyre arrijnë deri edhe në përplasje me bluzat e bardha, duke iu kërkuar atyre t’iu kurojnë fëmijët pa pagesë. “Duhet të rishikohen disa veprime që bien ndesh me jetën e njerëzve, dhe në veçanti të fëmijëve që vijnë nga fshatrat e largëta. Ata nuk kanë mundësi për të marrë një rekomandim te mjeku i zonës, pasi fshati ku ata jetojnë është dy orë larg qendrës shëndetësore të komunës”, u shprehën disa mjekë të spitalit të Beratit. Sipas tyre, në spitalin e Beratit vijnë edhe nga Skrapari, Kuçova, madje edhe nga zona e Mollasit të Elbasanit, pasi kanë më afër këtë spital. d.xh