Arrestohet, kërcënonte ish-gruan
27/02/2005 Zhan Leka u arrestua mbrëmjen e së premtes nga efektivat e antikrimit të Komisariatit nr.1. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se, 26-vjeçari u kap në flagrancë, pasi ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme ish-gruan e tij. I prangosuri mësohet se i ka krijuar mjaft probleme asaj, pasi nuk pajtohej dot me idenë se e kishte braktisur. Të njëjtat burime saktësojnë se, Leka përdorte mënyra të ndryshme persekutimi për të, duke nisur nga kanosjet me armë të ftohta, apo fyerjet e presionet në telefon. Ka qenë denoncimi i ish-bashkëshortes së trembur nga kërcënimet, shtysa që nxiti blutë të arrestonin Zhan Lekën. Vepra penale e konsumuar nga shkodrani, me banim në Tiranë, parashikohet nga neni 236 dhe 84 i Kodit Penal. Ai nuk ka qenë dënuar ndonjëherë më parë nga drejtësia. Materialet iu dërguan organit të akuzës për të ndjekur çështjen.