E Hënë, 2 Nëntor 2026

Toska në Shkup për sigurinë kufitare

27/02/2005  Ministri shqiptar i Rendit merr pjesë në konferencën e dytë të sigurisë kufitare. Zëdhënësi për shtyp i dikasterit blu, bën të ditur se në datat 24-25 shkurt, Igli Toska ka marrë pjesë në Konferencën e zhvilluar në Shkup të Maqedonisë. Gjatë fjalës së tij, ministri Toska ka informuar homologët e tij për progresin e konsiderueshëm që bëri policia shqiptare gjatë vitit të kaluar, përsa u përket problemeve të kufirit dhe migracionit. Toska ka theksuar se është punuar veçanërisht në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe teknologjike. Si rrjedhim i këtyre përmirësimeve, sipas standardeve të BE-së si dhe një përkushtimi më të madh të Policisë së Shtetit, është bërë e mundur që të arrihen rezultatet mjaft të mira, si në parandalimin e krimeve ndërkufitare, ashtu edhe në identifikimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kontrabandës dhe fenomeneve të tjera kriminale, që tentojnë të kalojnë përmes kufirit shqiptar. Në përfundim të fjalës së tij, ministri Toska ka siguruar se, Qeveria shqiptare, në veçanti Ministria e Rendit Publik dhe Policia e Shtetit, janë të vendosura për krijimin e një linje kufitare të fortë dhe të sigurtë. Florion Serjani shprehet se gjatë qëndrimit të Shkup, ministri i Rendit Publik ka patur një takim edhe me ministrin e Brendshëm të Serbisë, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh. Ministri serb ka propozuar miratimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi kornizë, në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, kontrabandës dhe terrorizmit. Ministri Toska ka konfirmuar gatishmërinë e plotë për të forcuar bashkëpunimin dypalësh në fushat me interes reciprok si dhe ka garantuar se do të urdhërojë menjëherë strukturat e Policisë së Shtetit, për të kontaktuar me homologët serbë për të përgatitur marrëveshjen si dhe për të përcaktuar modalitetet e nënshkrimit të saj, në një kohë sa më të afërt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›