Burg pa afat për Pokën, grabiti dhe e hodhi nga ura
27/02/2005 Gjyqtari Agron Zhukri la dje në burg pa afat shtetasin Fitim Poka, akuzuar për vjedhje me pasojë vdekjen. Tri ditë më parë, i pandehuri, pasi kishte grabitur shtetasin Servet Isallari, e ka hedhur atë nga ura. Ngjarja ka ndodhur në Yzberisht. Para gjykatës, i pandehuri nuk e ka pranuar veprën penale, edhe pse nga ana e policisë të dhënat ishin të plota. Përfaqësuesi i akuzës i kërkoi gjykatës lënien e të pandehurit në burg pa afat, për faktin se vepra e kryer prej tij përbën rrezikshmëri të lartë shoqërore. Fitim Poka është mbrojtur duke kundërshtuar akuzën. Ai është shprehur se nuk ka grabitur njeri dhe nuk ka hedhur njeri nga ura. Më pas ka shtuar se policia mund të ketë bërë ndonjë ngatërresë. Por gjurmët e gishtave dhe prova të tjera të rëndësishme, kanë bërë që gjykata të marrë në konsideratë më shumë kërkesën e akuzës, për ta lënë të pandehurin në burg pa afat.