E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kompas”, 4 vjet për kapjen e organizatorëve të trafikut

27/02/2005  Prokurorisë së Milanos dhe asaj shqiptare i janë dashur të paktën katër vite për të arritur në personat e dyshuar si organizatorë të një rrjeti të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Ky fakt konfirmohet edhe në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që është nisur për shqyrtim në gjykatë disa ditë më parë. Aty thuhet se në bazë të përgjimeve të bisedave telefonike është konkluduar që, “më datë 25 dhjetor të vitit 2000, i pandehuri Kujtim Popoçi nis një sasi të papërcaktuar lënde narkotike për në Itali. Në datën 23 janar 2001, i pandehuri Kujtim Popoçi nis një sasi tjetër, që tërhiqet nga shtetasi Ylli Guga. Më 19 shkurt 2001, i pandehuri Arjan Xhemali në bashkëpunim me të pandehurin Kujtim Popoçi, organizojnë nisjen e 6 kilogramëve heroinë me destinacion për Lorenc Malkën. Nga 5 deri më 11 maj 2001 është përgatitur dhe transportuar nga Shqipëria drejt Italisë mbi 10 kilogramë heroinë, e dërguar prej të pandehurit Armando Andoni (Arjan Selimi). Më datë 5 korrik 2001, të pandehurit Arjan Selimi dhe Artur Gjini kanë futur nga Shqipëria për në Itali me anë të një korrieri, të një sasie më tepër se 10 kilogramë heroinë. Më 22 janar të vitit 2001, policia italiane ka sekuestruar në Milano 7.7 kilogramë heroinë, që i përkiste të pandehurit Fatmir Kuçi”. Nga këto të dhëna rezulton se rrjeti ka funksionuar të paktën në vitin 2000, ndonëse dyshohet të jetë më i hershëm dhe u shkatërrua në qershor të 2004-ës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›