E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet, kërkohej për plagosje me dashje

23/12/2004  Baftjar Hima nga Borizana, u arrestua pasditen e së mërkurës nga efektivat e policisë së komisariatit të Krujës. 36-vjeçari ishte person në kërkim prej afro 8 muajsh, por u kishte shpëtuar prangave duke u fshehur në Tiranë. Ai akuzohet për plagosjen e rëndë me dashje të një bashkëfshatari të tij.

Ngjarja

Historia e shpalljes në kërkim të Baftjar Himës e ka zanafillën rreth 8 muaj më parë në fshatin Borizanë. 36-vjeçari mësohet se është konfrontuar keqas me një bashkëfshatarin e tij. Rivali, Safet Peçi, ishte vetëm 18 vjeç, por mosha nuk e pengoi Himën të kapej me të. Grindja ka lindur për motive të dobëta. Pas një debati të gjatë dhe të ashpër, kur asnjë nga palët nuk lëshonte pe, problemi degradoi në goditje me armë të ftohtë. Burime policore bëjnë të ditur se, Hima e ka qëlluar për vdekje kundërshtarin me thikë, me qëllim eliminimin e tij fizik. Me të kryer aktin është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas nga fshati për t'i shpëtuar prangave. Ndërsa i lënduari rëndë përfundoi në spital në gjendje të rëndë, Baftjar Hima u akomodua në Tiranë te të afërmit. Paskëtaj, ai duket se u sistemua në një shtëpi me qira, ku jetonte deri të mërkurën. Si të mos mjaftonte fakti që gëzonte ende lirinë, i kërkuari shëtiste me makinë nëpër rrugët e kryeqytetit. Sakaq, në komisariatin e Krujës kishin nisur të mbërrinin sinjalet se Hima gjendej në Tiranë. Kësisoj, pas një organizimi të punës në bashkëpunim me Komisariatin nr.3, efektivat e antikrimit të Krujës arritën të vënë në pranga të kërkuarin nga Borizana. Ai u arrestua te "Zogu i Zi", teksa po zbriste nga automjeti për të hyrë në një nga lokalet që gjenden aty. Të njëjtat burime saktësojnë se, i arrestuari ka qenë dënuar dhe më parë nga togat e zeza për vepra të ndryshme penale. Pas kryerjes së veprimeve të para proceduriale, i kërkuari iu dorëzua komisariatit të Krujës. F.Bramo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›