E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia, në 2 ditë, 6 të superkërkuar në pranga

23/12/2004  Plot 18 persona kanë përfunduar në prangat e policisë gjatë 48 orëve të fundit. Zëdhënësja për shtyp e Policisë së Shtetit, bën të ditur se si rezultat i masave të marra dhe kontrolleve të ushtruara është bërë e mundur të kapen nga policia 6 persona të shpallur në kërkim. Një prej tyre është ekstraduar nga Gjermania, ku ishte prangosur me qëllim ekstradimi. Për të njëjtën periudhë kohore janë regjistruar 9 arrestime dhe 3 ndalime të autorëve të veprave të ndryshme penale. Baftjar Hima kërkohej nga komisariati i Krujës, nën akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. 36-vjeçari nga Borizana ishte nën masën e sigurisë "arrest në burg", të caktuar nga togat e zeza të rrethit gjyqësor Krujë. Hima, që u arrestua të mërkurën në Tiranë, ka plagosur rëndë Safet Becin, bashkëfshatar me të. E njëjta akuzë rëndonte dhe mbi Fatri Krasniqin nga Mamurrasi, arrestuar të martën. Ai akuzohet se ka tentuar të vrasë komandantin e postës së Mamurrasit, Muharrem Vrapi. Baftjar Gjana u ekstradua nga Gjermania pasditen e së martës. Ai u arrestua në Frankfurt, nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe falsifikim të akteve të gjendjes civile. Sakaq, shënohen 3 arrestime të personave që kanë dezertuar nga ushtria. Erion Biraçi, Gramoz Helmi dhe Gëzim Shtjefni, u prangosën gjatë 48 orëve nga forcat e rendit, pasi gjykata kishte dhënë për ta dënim me disa muaj burg. Gjatë 21 ditëve të para të muajit dhjetor, rezultojnë 149 persona të arrestuar, ndërkohë që janë ndaluar nga punonjësit e policisë 73 shtetas të tjerë. Rritja e forcës goditëse të punonjësve të policisë në të gjitha shërbimet e tyre, ka bërë që vetëm gjatë muajit dhjetor të prangosen 42 persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Policia e Shtetit kërkon dhe bashkëpunimin e komunitetit për dhënien e informacioneve të nevojshme, jo vetëm për vepra të mundshme kriminale që mund të ndodhin, por dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe per shkelje të tjera të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›