LSI-ja amendamente për Kodin Zgjedhor
23/12/2004 Grupi parlamentar i LSI-së deklaroi dje se Kodi Zgjedhor, i përgatitur nga Komisioni Bipartizan, nuk ofron asnjë hap përpara, madje në disa aspekte përbën hap prapa në krahasim me Kodin e mëparshëm. Deputetët e kësaj partie kanë kundërshtuar disa pika të miratuara nga komisioni për Reforëm Zgjedhore, duke propozuar disa amendamente të tjerë. LSI kërkon të bëhen ndryshime në nenin 34 të kodit për përbërjen e KZZ-ve. Në lidhje me përbërjen e këtyre komisioneve, LSI-ja ka kërkuar të jetë sipas përqindjes që kanë partitë politike në Kuvend. Ndërsa në Komisionin Bipartizan është vendosur që partitë që kanë marrë përqindje më të madhe në zgjedhjet e fundit të kenë një anëtar në KZZ. Gjithashtu, një amendament tjetër i LSI-së ka të bëjë me transportin e materialeve zgjedhore pas zgjedhjeve, ku është kërkuar të shtohet pika "materialet shoqërohen nga anëtarët dhe vëzhguesit e KQV-ve, përkatëse me automjete të tjera". Sipas grupit të LSI-së, ky Kod Zgjedhor i hartuar nga Komisoni Bipartizan lë mundësi manipulimi dhe dhunimi të votës në 3 hallka kryesore në Qendrat e Votimit, gjatë transportit dhe në procesin e numërimit e fletëve të votimit në Komisionet Zgjedhore Zonale. Ndërkohë dje Lëvizja Rinore për Integrim ka bërë bilancin e rezultateve të arritura. Sipas deklaratës së dhënë për shtypin, kjo strukturë e LSI-së ka mbi 9 mijë anëtarë dhe ka shtrirje në të gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë. LRI ka dalë dhe me objektiva për vitin 2005, ku bie në sy fuqizimi i kontakteve me Internacionalen e Rinisë Socialiste.