E Hënë, 2 Nëntor 2026

Do të ulen në grada komisarët 30-vjeçarë

23/12/2004  Oficerët e rinj me gradë më të lartë se ajo që u takon me ligj, do të preken nga reforma më e re në Ministrinë e Rendit Publik. Lista prej rreth 180 personash të piketuar për t'u "shndërruar" spaletat, përbëhet nga efektiva të rolit të lartë në Policinë e Shtetit, që kanë moshë shumë të re për të poseduar një gradë të madhe. Reforma bën pjesë në planet afatshkurtër të dikasterit blu.

Zhgradimet

Me mik, me para ose për shkak të detyrës që kryenin kur u ekzekutua implementimi, një numër i madh oficerësh në moshë të re, arritën të merrnin grada më të larta se ajo që u takonte me ligj. Burime të besueshme nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se listën e të piketuarve nga Igli Toska për t'i "zhgraduar" e përbëjnë më së shumti komisarët, nënkomisarët apo kryeinspektorët që kanë vite të pakta pune. "Në jo pak raste konstatohen oficerë me grada të larta në moshë tejet të re. Ligji në këtë rast është shkelur, pasi për të kaluar në shkallët hierarkike të spaletave, nevojiten vite pune të shumta. Sigurisht që këta 180 persona nuk kanë karrierë të gjatë në polici për të merituar yjet", saktësojnë burimet. Mësohet se nuk do të merren më parasysh detyrat që kanë kryrer këta të rinj, apo dhe që kryejnë momentalisht. Askush nuk do të bëjë përjashtim nga lista e "zezë" e Toskës. Duke qenë se shumicës dërmuese të tyre i duhen dhe një barrë vite pune për të dalë në pension, ministria do t'u ofrojë mundësinë e qëndrimit, me kusht uljen dhe në detyrë apo transferimin "atje ku ka nevojë atdheu". Sakaq, do të rishikohen dhe gradat e oficerëve të policisë me eksperiencë të gjatë pune, të cilët janë persekutuar nga Këshilli i Emërtesës. Numri i tyre përllogaritet të jetë rreth 200 persona. "Duke e parë nga ana financiare, Ministria e Rendit qarkullon paratë nga një bordero në tjetrën. Ndërsa 180 oficerë do të ulen në grada, po aq të tjerë do t'i fitojnë ato. Kësisoj, do të evitohen problemet në buxhetin për pagat", vijojnë burimet.

Strategjia "Toska"

Me të kaluar pragun e Ministrisë së Rendit, në fundtetorin e vitit të shkuar, Igli Toska shpalosi strategjinë e tij për ndërrimin e pamjes së institucionit që do të drejtonte. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se plani "Toska" përbëhej nga 3 objektiva. "Rend brenda rendit", do të ishte pika e parë kur kreu i ri i dikasterit blu vuri në zbatim menjëherë. Duke mos llogaritur ndonjë punonjës të përjashtuar tek e tuk ndër vite, Policia e Shtetit nuk i qe nënshtruar asnjëherë ndonjë reforme të madhe për spastrimin e saj nga të inkriminuarit. Megjithë numrin e madh të të pakënaqurve nga lirimi, transferimi apo ndëshkimi, askush nuk ia ndali hovin ministrit riosh, i cili vijoi dhe më tej. Pika numër 2 e strategjisë së tij ishte ristrukturimi i dikasterit blu dhe më së shumti Policisë së Shtetit. Drejtori që shkrihen, të tjera që krijohen, kompetenca që kalojnë nga një karrige në tjetrën. Data 1 tetor e gjeti dikasterin blu me një pamje të re, që, sipas Toskës përngjan me simotrat evropiane. E treta dhe e fundit nga objektivat është rikishimi i procesit të dhënies së gradave. Ankesat për merita të mohuara dhe konstatimet për yje tepër në spaleta, përbëjnë trarët e kësaj pjese të strategjisë "Toska". Zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Rendit, Florion Serjani, shprehet se rishikimi i gradave bën pjesë në planet afatshkurtra të dikasterit blu.

Gabimet në dhëniet e gradave

Ligjit për implementimin e gradave i mbetej dhe pak kohë për t'u zbatuar, pasi ishte miratuar qysh prej 2 vjetësh e gjysmë. Kësisoj, Ministrisë së Rendit nuk i mbeteshin vetëm 6 muaj për ta vënë në jetë. Fillimi i majit të vitit 2003, përkoi me dhënien e gradave të reja, të cilat në gati 50% të rasteve u kontestuan. Por, sipas burimeve, problemet dhe pakënaqësitë kanë si origjinë të vetme kohën e shkurtër në të cilën u detyrua grupi i punës të jepte gradat për efektivat e policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›