E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja "Matrix", zbardhet skema e vjedhjes së llogarive bankare



Laureta Rryçi

TIRANË - Prokuroria e Tiranës, përmes provave të shumta dhe dëshmive të siguruara, ka bërë të mundur zbardhjen e skemës së vjedhjes të llogarive bankare përmes klonimit të kartave të kreditit nga të pandehurit e çështjes “Matrix”. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se 17 personat e marrë me cilësinë e të pandehurit për këtë çështje dyshohen për vjedhjen e të paktën 400 llogarive bankare, me vlerë mbi 200 mijë euro në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorës. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor mendon se kartat e klonuara përgatiteshin me pajisje të sofistikuara elektronike nga i pandehuri Endrit Gjergjani, i cili është cilësuar si kreu i grupit. Më pas, kartat e kreditit “MASTERCARD” dhe “VISA” iu shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë të dyshuar të këtij grupi, me qëllim tërheqjen e shumave nga bankomatet apo blerjet me karta krediti. Nga të dhënat hetimore rezulton se të dyshuarit kanë arritur që përmes kartave të klonuara të kryenin në vitin 2007 deri në fillim të 2008-s 400 tërheqje nga bankomatet si dhe një seri blerjesh të veshjeve, makinave dhe pajisjeve luksoze në qendra të ndryshme tregtare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë arrestuar pak javë më parë, gjatë një operacioni të organizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Operacioni
Këto hetime morën shkas nga arrestimi pak javë më parë në Tiranë gjatë operacionit të koduar "Matrix 4", të 17 personave të akuzuar për vjedhjen e mijëra eurove nga llogari të ndryshme bankare nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit “VIZA” dhe “MASTERCARD” me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas të dhënave hetimore të dosjes, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore. Operacioni "Matrix 4", i organizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë, u finalizua me arrestimin e 17 personave, pjesa më e madhe e të cilëve studentë, që vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal për vjedhjen e bankave të ndryshme. Të paktën deri tani numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore. Ndërkohë që shuma e vjedhur llogaritet në rreth 2 milionë euro.
Të arrestuarit
Ky operacion vuri në pranga; Endrit Gjergjani (Laro), 19 vjeç, Anil Gjergjani, 47 vjeç, Kreshnik Luka, 23 vjeç, Ledjo Doko, 19 vjeç, Enea Çela, 18 vjeç, Endri Mezuraj, 19 vjeç, Besford Puka, 27 vjeç, Seid Mollaj, 23 vjeç, Fatmir Borshi, 20 vjeç, Rei Karapici, 19 vjeç, Redi Çekani, 19 vjeç, Blerim Abazi, 24 vjeç, Flamur Gashi, 28 vjeç, Indrit Abazi, 23 vjeç, Alban Bari, 27 vjeç, Klodian Terolli, 20 vjeç, Fatmir Kolmarku, 32 vjeç. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”, “sigurim të mjeteve për vjedhje” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”, të kryera këto në bashkëpunim. Me cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan pajisje elektronike për klonimin e kartave me shirit magnetik, një sasi kartash me shirit magnetik të mbushura, 1 kompjuter laptop dhe 6 kompjuterë të zakonshëm, dokumente bankare për pajisje me karta krediti, certifikata të ndryshme, 5 automjete si dhe disa doza lëndësh narkotike, hashash dhe heroinë.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›