LSI: Presionet e qeverisë ndaj Prokurorisë dhe Gjyqësorit për të mbuluar Gërdecin
Lëvizja Socialiste për Integrim reagon pas shqetësimit të shprehur nga Senati Amerikan për domosdoshmërinë e transparencës së hetimeve për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se këto shqetësime të shprehura nga Senati Amerikan janë tregues i qartë për dyshimet e mëdha për mënyrën se si po zhvillohen këto hetime dhe për presionin e vazhdueshëm të qeverisë kundër procesit të hetimit dhe transparencës së kësaj çështjeje. “Shqetësimi i madh i shprehur dje në Senatin Amerikan, që është aleati dhe avokati më aktiv për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për domosdoshmërinë e transparencës së hetimeve, pavarësisht nga pasojat që do të ketë kjo për qeverinë, është tregues i qartë për dyshimet e mëdha që ata kanë për mënyrën si po zhvillohen këto hetime dhe për presionin e vazhdueshëm të qeverisë kundër procesit të hetimit dhe transparencës së kësaj çështjeje”, - tha Haxhinasto. Ai deklaroi se LSI-ja kërkon me insistim nga qeveria që të heqë dorë nga presionet ndaj Prokurorisë për të ndikuar te hetimet për ngjarjen tragjike të Gërdecit. “Ne shprehim me forcë qëndrimin tonë se qeveria e Sali Berishës duhet të heqë menjëherë dorë nga papërgjegjshmëria e saj për të lënë në mjegull hetimet për Gërdecin, si dhe përpjekjet e mbrapshta për të dobësuar funksionet e organit të hetimit dhe të akuzës, gjoja nën pretekstin e reformës në Gjyqësor”, - vijoi kryetari i KDK-së së LSI-së. Haxhinasto tha se Berisha duhet të heqë dorë nga presioni mbi sistemin gjyqësor dhe të pranojë kërkesën e LSI-së për ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e tragjedisë së Gërdecit. “Pa asnjë iluzion se kjo qeveri do të heqë dorë nga presioni mbi sistemin gjyqësor dhe pavarësinë e tij, ne përsërisim kërkesën tonë për ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e tragjedisë së Gërdecit, hetim i cili do t’i japë transparencë një çështje që duket se do të përcaktojë edhe ecurinë e mëtejshme të integrimit të vendit në NATO dhe BE”, - u shpreh ai. Haxhinasto komentoi gjithashtu edhe shqetësimet e shprehura nga senatorët amerikanë për ngadalësimin e luftës kundër korrupsionit, si dhe për mungesën e reformës zgjedhore, për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009.
13 Shtator 2008