Ekspertët e Prokurorisë janë kundër projektligjit për SHKB-në në Komisionin e Sigurisë
Ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme janë shprehur, gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, kundër projektligjit për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Juristja e Prokurorisë së Përgjithshme, Edlira Kripa, ka kërkuar që ky projekt të kalojë si pjesë e një pakete integrale ku të përfshihen të katër projektligjet që lidhen me reformën në Drejtësi.
Juristja e Ina Ramës ka kërkuar që Parlamenti t’i kalojë njëherësh projektligjin për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, draftin mbi Prokurorinë, Kodin Penal dhe Policinë Gjyqësore. Por vullneti për të realizuar një nismë të tillë nuk është i të gjitha palëve. Drejtori i SHKB-së në Ministrinë e Brendshme është shprehur se ky ligj nuk ka lidhje me reformën në Drejtësi, por është një ligj për Ministrinë e Brendshme. “Ky ligj nuk ka lidhje fare me reformat që kryhen në sistemin e drejtësisë përsa i përket ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, Prokurorisë së Përgjithshme dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ky ligj ka vetëm një nen të vetëm, që punonjësit e SHKB-së kanë atributet e Policisë Gjyqësore”, - është shprehur në komision Astrit Halilaj, drejtor i SHKB-së. Ndërsa ekspertja e Prokurorisë ka theksuar se drafti për SHKB-në ka lidhje dhe ndërthuret me projektet e tjera që lidhen me reformën në Drejtësi. Madje ajo kërkoi nga ligjvënësit që të mos e miratojnë nenin 24 të projektligjit, i cili parashikon që punonjësit e SHKB-së, pasi të marrin leje nga Prokuroria, të kenë mundësi të përgjojnë telefonatat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, e ka cilësuar bashkëkohor këtë projekt. “Këto hetime nuk mund t’i ketë pronë vetëm Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, detyrimisht ato duhet të paraqesin në Prokurori për të regjistruar procesin penal. Në këto kushte çdo punonjës policie që do të jetë në hetim, unë nuk shoh asgjë të keqe në këtë mes”,- është shprehur Prençi. Deputetët pritet të vazhdojnë diskutimin për këtë projekt për çdo nen të tij, në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
13 Shtator 2008