E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja kundër ligjit për Gjyqësorin, cenohet pavarësia e sistemit

Manjani: “Projektligji është tentativë e qeverisë për të ndërhyrë te gjykatat”. “PS-ja ka vizion ndryshe për të realizuar reformimin e sistemit”

Shaban Sulçe
Partia Socialiste konfirmon qëndrimin e saj kundër ligjit “Për administratën gjyqësore”, të propozuar nga maxhoranca. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në selinë rozë, Ylli Manjani, tha se Partia Socialiste do ta votojë këtë projektligj, pasi ai cenon rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend. “Në mungesë të vizionit për një reformë reale dhe të thellë të sistemit të drejtësisë, qeveria e Sali Berishës vazhdon të sjellë në Kuvend arna të patolerueshme që cenojnë pavarësinë e këtij sistemi. Më projektligjin për administratën gjyqësore, qeveria bën një tjetër tentativë për të legjitimuar ndërhyrjen e politikës mbi pushtetin gjyqësor. Ky projektligj tenton t'i japë të drejtë ministrit të Drejtësisë të normojë me akte normative veprimtarinë e gjykatave”, - tha Manjani. Ai theksoi se qeveria në vend që të ndërtojë një administratë gjyqësore të mirëfilltë në shërbim të publikut e të gjykatës, po tenton të mbajë në mbikëqyrje gjykatat dhe vendimet që ato prodhojnë. “Ky projektligj duhet të vinte si ndryshim në ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil, ashtu siç sugjerohet me të drejtë edhe nga misioni i ekspertëve të BE-së për reformat në Drejtësi”, - u shpreh zyrtari i lartë i Partisë Socialiste.
Reforma
Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, akuzoi gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Berisha se nuk janë të interesuar për të realizuar një reformë të mirëfilltë në sistemin e drejtësisë. Manjani theksoi se vizioni i PS-së për të reformuar këtë sistem nuk ka aspak ngjashmëri me atë që synon të bëjë qeveria. “Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma të qenësishme, të thella dhe të plota, e jo për “arna” në formën e nismave gjysmake, të cunguara profesionalisht dhe të papranueshme parimisht, siç është edhe ky projektligj. Vizioni ynë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ndërtimin e një shteti serioz shqiptar në rrugën e integrimit europian nuk ka asgjë të përbashkët me praktikën e arnimeve shkel e shko, që është e vetmja gjë që kjo qeveri e paaftë dhe ky kryeministër i papërgjegjshëm bëjnë tash 3 vjet në kurriz të shtetit e të shqiptarëve.
Projektligji
Projektligji për “administratën gjyqësore” u miratua në muajin korrik nga Këshilli i Ministrave. Ky projektligj i firmosur nga kryeministri Berisha u kritikua menjëherë pasi synonte të forconte kompetencat e ministrit Alibeaj ndaj administratës gjyqësore, e cila është pjesë e rëndësishme e sistemit gjyqësor dhe që luan një rol të pamohueshëm në vetë dhënien e drejtësisë dhe në garantimin e pavarësisë së Gjyqësorit.
Sipas nenit 2 të projektligjit të propozuar nga qeveria, ministri i Drejtësisë do të ketë të drejtë të kontrollojë veprimtarinë e administratës gjyqësore për zbatimin e akteve, ligjore dhe nënligjore. Kreu i dikasterit të drejtësisë do të ketë kompetencë që të kujdeset dhe të mbështesë veprimtarinë për përgatitjen, aftësimin dhe specializimin e personelit të administratës gjyqësore. Ai do të ketë të drejtë të miratojë me urdhër, përshkrimin, klasifikimin, dhe vlerësimin e pozicioneve të punës, procedurën e konkurrimit, rekrutimin, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, masat disiplinore dhe vlerësimin e rezultateve në punë të personelit të administratës gjyqësore, pas këshillimit me kryetarët e gjykatave e kancelarët. Ministri i Drejtësisë do të miratojë rregulloren për veprimtarinë e administratës gjyqësore për pranimin, mbajtjen dhe administrimin e akteve procedurale, të provave, materiale dhe shkresore, të paraqitura pranë gjykatave, pasi të ketë marrë mendimin e kryetarëve e të kancelarëve të gjykatave. Projektligji i propozuar nga qeveria i jep kompetenca ministrit të Drejtësisë për të marrë masa dhe për të bashkëpunuar me Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe institucione të tjera, vendase ose të huaja, për çështje të përgatitjes profesionale, aftësimit dhe specializimit të administratës gjyqësore. Së fundi, ministri i Drejtësisë do të ketë të drejtë të vendos për ankimimet për veprimtarinë e administratës gjyqësore.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›