E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet këshilltari i ministrit të Energjitikës

Dëmi i shkaktuar shtetit nga Eduard Belegu, Artur Belegu, Tonin Gjonaj e Fatos Pengu është 6,5 milionë euro


Belegu ishte këshilltar për minierat, teksa është vendosur shkarkimi i tij nga detyra menjëherë pas arrestimit


ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e arrestit me burg për këshilltarin e ministrit të Energjitikës, Eduard Belegun, ish-administrator i "Darfo"-s, si dhe tre personave të tjerë.


Akuza e ngritur ndaj tyre është "vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën". Vetëm pak ditë pas arrestimit të mjekëve dhe efektivave të policisë, kryeprokurori i Elbasanit paralajmëroi mbylljen e një prej dosjeve të bujshme që do të përfshinte një njeri me pushtet, por nuk bëri të ditur detaje të tjera për faktin se ai do të ishte një nga njerëzit e afërt të ministrit të Energjitikës.


Kryeprokurori Elvin Gogaj ka konfirmuar se dosja e abuzimit dhe shpërdorimit do të shkonte në gjykatë, por pa deklaruar emrat e personave që do të përfundonin në pranga. Janë këto hetime 2-vjeçare që kanë sjellë prangosjen e ish-administratorit të "Darfo"-s që kishte në koncension ferrokromin në Elbasan, Eduard Belegu. Bashkë me të janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë: Artur Belegu, me detyrë magazinier i "Darfo"-s, Tonin Gjonaj ish-drejtor dhe Fatos Pengu, ish-përgjegjës po në "Darfo". Për të 4 shtetasit është dhënë masa e "arrestit me burg" nga gjykata.


Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudhën 2004-2007 , kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës për të kryer shitje të konsiderueshme skrapi dhe asetesh në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që shtetit si dhënës i koncensionit dhe pronar i aseteve të uzinës t'i shkaktohet një dëm prej 6,5 milionë eurosh.


Dosja voluminoze e hetimeve të nisura në vitin 2008 nga prokuroria e Elbasanit, është mbyllur vetëm javën e kaluar kur kryeprokurori Gogaj paralajmëroi arrestimet e bujshme. Kjo dosje u mbajt në fshehtësi të plotë për faktin se ekzistonte mundësia për arratisjen e të akuzuarve.


Hetimi


Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet në procedimin penal nr 169 datë 16.02.2008 për veprën penale të parashtruar në nenin 135 i Kodit Penal. Në atë kohë ish-administratori Belegu ndodhej jashtë vendit. Ai u largua me mbylljen e kontratës së koncesionit ndaj "Darfo"-s në vitin 2007, pasi kandidoi për deputet në vitin 2005 në zonën e Mokrës nën siglën e LSI-së.


Në vitin 2008, kur u verifikuan edhe dëmet e shkaktuara ndaj Uzinës nisi një hetim. Kryeprokurori Elvin Gogaj e deklaroi një vit më parë nisjen e hetimit, por deri më sot kjo dosje konsiderohej e fjetur, dhe jo me shumë zhvillime. Dosja ka kaluar në gjykatë vetëm të hënën me kërkesën e përshpejtuar të prokurorisë për ta shqyrtuar. Gjykata e Rrethit Elbasan ka caktuar masën e arrestit në burg për katër shtetasit e akuzuar.


Uzina e Ferrokromit u mor me koncension në vitin 2000 nga italianët e "Darfo"-s (kjo kompani ka pasur me koncension edhe miniera). Përfaqësuesi shqiptar dhe administratori ligjor u vendos Eduard Belegu.


"Darfo" erdhi disa herë në vëmendje për faktin se investimet e deklaruara në kontratën e koncensionit nuk u realizuan asnjëherë. Shteti u detyrua në vitin 2007 të prishë kontratën dhe të fillojnë procedurat për dhënien me koncension një kompanie austro-ruse. Nga viti 2007 Eduard Belegu nuk u shfaq më, madje u deklarua se ai u largua përtej kontinentit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›