E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyhet e digjet natën makina e pedagogut të Akademisë së Arteve

 

TIRANE - Sulmohet me thyerje e zjarr makina e pedagogut të Akademisë së Arteve. Persona të pa identifikuar kanë tentuar të djegin automjetin e parkuar poshtë pallatit të pedagogut në rrugën "Sytki Çiço". Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së dielës, kur makinës të pedagogut Arben Basha, një "Mercedez Benz", i është thyer xhami i pasëm. Nëpërmjet hapësirës boshe të krijuar nga thyerja e xhamit, autorët kanë hedhur një send të ndezur, me qëllim për të djegur automjetin e pedagogut. Pasi kanë kryer këtë veprim ndaj mjetit të pedagogut Basha, autorët e ngjarjes janë larguar me shpejtësi duke lënë mjetin të digjet në flakë. Sapo ai ka marrë flakë, është diktuar shpejt nga një person që mendohet se është roje parkingu. Ai siç duket ka dhënë alarmin dhe menjëherë aty ka mbërritur pronari i mjetit, ndërsa është lajmëruar policia e komisariatit nr.4. Këta të fundit kanë mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes ndërsa kanë ndihmuar në shuarjen e tij. Më pas ata kanë kryer veprimet e para, të cilat më pas janë vijuar nga seksioni vjedhjeve me armë dhe shkatërrimit të pronës. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit nuk e kanë pasur të vështirë të kuptojnë se kishin të bënin me një tentativë për të djegur automjetin e Arben Bashës, pedagog në Akademinë e Arteve. Dyshimet e policisë janë drejtuar në dy pista kryesore, atë të një hakmarrje të mundshme ndaj tij për shkak të punës së tij si pedagog në Akademinë e Arteve. Po kështu specialistët e hetimit, nuk kanë lënë jashtë vëmendjes së tyre edhe një mundësi që ngjarja të ketë pasur si objekt bashkëshorten e tij. Kjo e fundit, sipas burimeve të policisë, është drejtoreshë e shkollës së mesme "Partizani", që ndodhet në rrugën "4 Dëshmorët". Dyshimet e policisë janë se drejtuesja e shkollës mund të ketë marrë ndonjë masë disiplinore apo ndëshkuese ndaj ndonjë nxënësi. Ndërkaq, të dy bashkëshortët kanë pohuar se nuk kishin ndonjë dyshim apo përplasje me ndonjë person. Policia ka marrë një konsideratë edhe një mundësi të ndonjë konflikti personal të pedagogut dhe është duke hetuar në këtë pistë, me qëllim që të verifikohet ndonjë mosmarrëveshje që ka shkaktuar ngjarjen.  d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›