E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasjet më 21 Janar, Prokuroria kërkon “Beretat” e gardistëve

SHKRUAN: Leonard Bakillari 14-02-2011 10:26

Tiranë- Pas sekuestrimit të 49 armëve automatike model “MP5” në përdorim nga Garda e Republikës, Prokuroria pritet të kërkojë sekuestrimin e armëve personale të gardistëve që janë caktuar me shërbim më 21 janar, përreth Kryeministrisë. Duke qenë se ekspertimi balistik i armëve të kërkuara nuk ka mundur të përcaktojë se cila prej tyre ka shkaktuar vdekjen e Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikajt, prokuroria ka vendosur të ndërrojë taktikë, duke marrë kështu të gjitha armët e përdorur nga gardistët. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se krahas automatikëve të tërhequr më 21 janar nga efektivët e gardës, grupi hetimor i çështjes pritet të kërkojë edhe armët e tyre personale. Nga verifikimet e kryera rezulton se gjithë njësitë e Gardës, të caktuara me shërbim pranë kryeministrisë, përveç automatikëve model “MP5” dhe atyre “AK47”, thuajse të gjithë kanë qenë të pajisur edhe me armët e tyre të shërbimit. Bëhet fjalë për pistoleta tip “Bereta”, të cilat njëlloj si automatikët e prodhimit turk, përdorin të dyja predha të të njëjtit kalibër, 9mm. Sipas prokurorisë, kjo kërkesë pritet t’i drejtohet Gardës së Republikës, pasi në vendin e ngjarjes, disa prej gëzhojave të sekuestruara mund t’u përkasin edhe armëve personale të gardistëve, të cilat janë kryesisht pistoleta tip “Bereta”. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se përveç automatikut që dyshohet se ka qëlluar mbi Ziver Veizin, i cili u vra pak metra larg portës së Kryeministrisë, të trija vrasjet e tjera, apo edhe plagosja e të paktën shtatë demonstruesve me armë zjarri, mbeten ende pa autor. Sipas ekspertimit balistik, të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, mësohet se nuk është bërë i mundur gjetja e armës së dytë, që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të turmës. Deri tani është bërë e mundur të konfirmohet se katër viktimat dhe të plagosurit e demonstratës së 21 janarit, janë qëlluar nga vetëm nga dy gardistë. Kjo tezë është hedhur nga prokurorët pas analizimit të të gjitha provave të mbledhura nga hetimet e deritanishme. Dhe në fakt, nga të dhënat u arrit të provohej dyshimi se një prej gardistëve që ka qëlluar është Agim Llupo, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, si i dyshuar për vrasje në bashkëpunim. E ndërsa Llupo qëndron në qeli, prokuroria nuk ka mundur dot të identifikojë të dyshuarin si bashkëpunëtor në krim, prandaj i ka kërkuar Gjykatës arrestimin e katër vartësve të Llupos, të cilët ishin caktuar me shërbim në pjesën veriore të Kryeministrisë. Ndaj tyre, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë, kohë kjo që i është lënë në dispozicion të prokurorisë për të mbledhur provat e mjaftueshme, që mund t’i implikojnë ata si bashkëpunëtorë të dyshuar në vrasje. Deri tani, askush prej tyre nuk ka pranuar se ka marrë urdhër për të qëlluar drejt turmës, duke thënë para prokurorëve se kanë qëlluar në ajër, duke u dhënë kështu sinjalin demonstruesve të mos afrohen në rrethimin e brendshëm të Kryeministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›