Arrestohet kosovari me pasaportë jugosllave
Bekim Mahmudoviç pretendoi se do të shkonte në Zvicër dhe se për këtë do të kalonte përmes Italisë
DURRËS - Një shtetas kosovar është vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes në sheshin e trageteve në Durrës. Sipas policisë kufitare, Bekim Mahmudoviç është arrestuar pasi akuzohet se donte të kalonte kufirin me dokumente të falsifikuara.
Mësohet se kanë qenë orët e mbrëmjes kur Mahmudoviç i është drejtuar sportelit të përpunimit të pasaportave në terminalin e sheshit të trageteve me gjithë bagazhet e udhëtimit.
Punonjësi i policisë kufitare pasi ka shikuar dokumentacionin e paraqitur, ka dyshuar tek qëndrimi i pasagjerit që kërkonte të shkonte në Zvicër nëpërmjet linjës së trageteve me Italinë. Pas një kontrolli të imtësishëm janë vënë re disa mosperputhje mes dokumenteve origjinale me ato të paraqiturave nga shtetasi kosovar.
Ekspertët kanë bërë pas kësaj një kontroll me aparaturat elektronike të sektorit shkencor dhe kanë dyshuar se dokumentacioni ishte i falsifikuar. Sipas policisë, rreth orës 23:20 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bekim Mahmudoviç, lindur dhe banues ne Komunën e Kamenicës, Kosovë.
Policia thekson se ky shtetas është prangosur nga punonjësit e policisë kufitare të Komisariatit të Portit, pasi po tentonte të kalonte kufirin në mënyrë të kundraligjshme, duke paraqitur një leje qëndrimi zvicerane me nr. CHEBA2360222, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Policia konfirmon se, pasi u kryen veprimet e para hetimore, u bë edhe sekuestrimi i pasaportës jugosllave me nr. 004397554, si dhe sekuestrimi i lejes zviceriane të qëndrimit në cilësinë e provës materiale. Para disa ditësh po në portin e Durrësit u kapën dy shtetas turq të cilët po tentonin të kalonin në Itali me viza të falsifikuara.