“Deklarata e konsullit për vllehët grekë, një lajthitje”
VLORË- Deklaratës së fundit të konsullit Grek në Korçë, se komuniteti vlleh në Shqipëri, të cilët jetojnë në trojet e Shqipërisë, janë grekë, kryetari i shoqatës së Vllehve të rrethit të Vlorës Ilia Seferi e ka quajtur lajthitje. Seferi në një deklaratë dhënë mediave është shprehur se kjo thënie është një lajthitje e konsullit grek në Korçë. “Unë nuk besoj se një deklaratë të tillë ta pranojnë qeveritarët grekë dhe qeveria greke, duke u nisur dhe nga marrëdhëniet shumë të mira që ka ndërmjet të dyjave qeverive. Qeveritë përkatëse, si shqiptare, ashtu dhe greke kanë deklaruar se vllehët kanë qenë një urë lidhëse bashkëpunimi të shkëlqyer midis dy popujve. Ndër ne, ashtu siç e ka vërtetuar dhe aktiviteti ndër shekuj i vllehve, është se vllehët janë nacionalist shumë të mirë në atë vend që jetojnë, edhe ne e quajmë veten shqiptar. Ky konsull nuk ka pse të ndikojë fare dhe të na japë rekomandime për regjistrimin e kombësisë tonë, vllehët besoj se do të deklarojnë vetë se ata që janë në Shqipëri do deklarojnë se janë shqiptarë” ka vijuar më tej Seferi.
Sipas tij në Vlorë, nga regjistrimet e vitit 1993, kanë qenë mbi 10 mijë qytetar vlleh, por kjo shifër sado që shumë nga këta qytetarë janë larguar jashtë shtetit mbetet po ajo. Vllehët në rrethin e Vlorës janë të përqendruar në qytetin e Selenicës, në fshatin Armen në Lubonjë, Mekat, Bestrovë, Beshisht, Mifol si dhe shumë prej tyre jetojnë në myzeqene e Vlorës. Shumë nga komuniteti vlleh ka qenë i përqendruar dhe në qytetin e Vlorës, për shkak të punëve të ndryshme që ata kanë bërë.
Vllehët, duke u nisur se profesioni i tyre është guri, si ndërtimi, ashtu dhe gdhendja e tij, janë shpërndarë shumë dhe në zonën e Greqisë, shumë prej tyre jetojnë në Janinë, në Mikonos, në Luca pranë Athinës edhe në Skiatos.
Në lidhje me konsullin Grek në Korçë, është shprehur Seferi, desha të shtoja se “kam dëgjuar se shumë politikanë, historian, shkencëtar, që i kanë kërkuar Ministrisë së Jashtme, po ashtu dhe takimin që vetë konsulli grek në Korçë ka pasur me Ambasadorin Grek, i rekomandohet që ta largojnë këtë konsull nga Shqipëria, ose si thuhet me terma politikë, ky person për ne është dhe të shpallet person “non grata”. Duke u nisur nga fakti që ne vllehët në të dy anët e kufirit jemi urë lidhëse e shkëlqyer bashkëpunimi ndërmjet të dy popujve, dhe një person i tillë s’ka çfarë i duhet politikës greke në Shqipëri.