E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet kosovarja, vodhi banesën e shoqes

14/06/2005  E kishte rast të përsëritur

DURRES - Policia e Durrësit ka arrestuar një femër, 22 vjeçe, pasi ajo mendohet se ka vjedhur para dhe sende të florinjta në shtëpinë e një shoqeje të saj.

Gjatë kontrollit, që i është bërë banesës ku jetonte 22-vjeçarja Lirije Igrishta, policia ka deklaruar se ka gjetur disa materiale, të cilat janë bllokuar në cilësinë e provës materiale.

Sipas policisë së Durrësit, shtetësja Igrishta, e lindur në Kosovë dhe banuese në Plazhin e Durrësit, ishte denoncuar nga një femër tjetër, emri i të cilës nuk është bërë publik. Denoncuesja kishte pohuar në polici se shtëpia e saj ishte vjedhur disa herë dhe së fundi i ishin grabitur një shumë prej 60 mijë lekësh, si dhe varëse, unaza dhe materiale të tjera të florinjta.

Paratë dhe sendet prej floriri janë marrë në një ndërtesë në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit dhe për këtë pronarja e mallit ka akuzuar kosovaren Igrishta, me të cilën kishte njohje.

Pas kallëzimit, policia e ka mbajtur në hetim 22-vjeçaren, e cila është ndaluar në orët e vona të natës të së dielës.

Sipas policisë, kosovarja e kishte rast të përsëritur vjedhjen, por ajo nuk është vënë asnjëherë para drejtësisë, pasi të gjithë informacionet kanë qenë në kuadër të dyshimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›