E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ha e pi me shokun gjithë natën e vretë më pas

14/06/2005  Gjin Lulashi ka vrarë në orët e para të mëngjesit të djeshëm shtetasin Sokol Mhilli

Shkodër – Një sherr në pije e sipër mes dy shokëve është mbyllur me një të vrarë dhe autorin tashmë të identifikuar nga policia dhe të shpallur në kërkim. Ngjarja, e ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, është shënuar në fshatin Palaj të komunës së Shoshit, të zonës së Dukagjinit.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së komisariatit të Shkodrës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, shtetasi 24-vjeçar Gjin Lulashi, ka qëlluar për vdekje shtetasin 29-vjeçar Sokol Mhilli. Vrasja ka ndodhur në banesën e një shtetasi tjetër, të quajtur Ndue Zefi. Grupi i hetimit ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme autori i vrasjes Gjin Lulashi nuk është vënë dot në pranga.

Ngjarja

Dy shtetasit, Mhilli e Lulashi, shokë që prej disa vitesh kanë kaluar orët e pasdites së bashku në shtëpinë e Ndue Zefit. Orët e shumta të qëndrimit në një tavolinë, ku kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike, kanë bërë të tyren, duke sjellë dhe humbjen e kontrollit nga dy të rinjtë. Deri në mes të natës, pija e tepërt nuk kishte dhënë një efekt negativ në dëm të të tjerëve, apo edhe ndërmjet tyre. Më pas hareja e tyre, në pije e sipër, ka filluar të marrë drejtim të kundërt dhe dy bashkëfshatarët kanë filluar të debatonin dhe më pas të grindeshin me njëri-tjetrin.

Debati është ndezur duket derisa ka kaluar në ofendime dhe në të shara të ashpra.

Në një pikë të tillë, shtetasi Gjin Lulashi, rreth orës 03.30, ka nxjerrë armën e tij pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të shokut të tij të vjetër.

Pasi ka parë se shoku i tij është mbuluar nga një pellg i madh gjaku, 24-vjeçari Lulashi është larguar me shpejtësi në errësirën e plotë të asaj zone të thellë malore.

Më pas...

Sapo kanë dëgjuar krismat, bashkëfshatarët e tjerë, kanë dalë me vrap për të parë se ç’kishte ndodhur dhe kanë marrë rrugën në drejtimin nga ishin dëgjuar të shtënat e pistoletës. Ata kanë gjetur të shtrirë shtetasin Sokol Mhilli, të cilit janë munduar t’i japin ndihmën e shpejtë, por çdo veprim ndihmës i tyri kishte qenë i kotë, pasi shtetasi në fjalë kishte vdekur në vend si pasojë e plumbave nga afër që kishte marrë.

Më pas banorët e fshatit kanë lajmëruar edhe forcat e policisë, të cilat sapo kanë marrë njoftimin për ngjarjen e ndodhur kanë nisur në vendngjarje forcat e tyre për të mundësuar kapjen e autorit të krimit, si dhe një grup hetimor, që do të zbardhë arsyet dhe shkaqet e vërteta të kësaj vepre penale.

Hetimi

Sipas burimeve zyrtare nga komisariati i policisë së Shkodrës mësohet se një grup ekspertësh të policisë kriminale janë nisur urgjentisht në drejtim të fshatit të thellë Palaj, ku ka ndodhur vrasja në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Blutë e Shkodrës, megjithëse vendngjarja ka qenë rreth 3 orë larg në këmbë nga vendi, ku ndalojnë makinat, janë duke krehur të gjithë zonën përreth vendngjarjes, por deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk kanë mundur dot të bien në gjurmët e autorit të veprës penale të vrasjes, pasi terreni i asaj zone është tepër malor dhe tepër i vështirë për t’u kontrolluar dhe njohja e mirë nga ana e Gjin Lulashit e të gjithë zonës së thellë ka vështirësuar dhe më shumë punën e uniformave blu.

Gjithsesi, sipas burimeve policore, mësohet se nën ruajtje është marrë dhe i zoti i shtëpisë ku ka ndodhur vrasja, pasi nëse familjarët e viktimës do t’i kthehen vetëgjyqësisë kanunore të Lekë Dukagjinit, dje Ndue Zefi ka hyrë në gjak me familjen e Sokol Mhillit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›