E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vdekjet aksidentale, 9 viktima në 6-mujorin e parë të 2005

14/06/2005  Fëmijë e të rritur, fund të papritur

KORÇE - Brenda harkut kohor të 6 muajve, në Qarkun e Korçës kanë humbur jetën aksidentalisht 9 persona. Humbja e jetës së tyre ka qenë mëse tragjike, sepse vdekjet e tyre kanë qenë sa të pafajshme aq edhe mundësisht të shmangshme. Megjithatë, vdekje të tilla kanë përfshirë të gjitha moshat, duke filluar që nga një fëmijë 40-ditëshe e duke përfunduar te më të rriturit, madje me profesione dhe me njohuri të tilla, që do të kishin mundur të shmangnin vdekjen në çdo çast. Rastet më të dhimbshme kanë të bëjnë me humbjen e jetës së fëmijëve. Vetëm brenda harkut kohor të 6 muajve, kanë humbur jetën, krejt rastësisht, 4 fëmijë, ndërsa numri i të rriturve shkon në 5 vetë.

Dy vdekje gjatë punës

Nisur vetëm nga statistikat policore, rezulton se vdekjet gjatë procesit të punës mbeten po në atë nivel që kanë qenë një vit më parë. Shkak për vdekje të tilla janë bërë mosmarrja e masave të sigurimit teknik në punë. Vdekjet nga elektriciteti kanë qenë të tilla edhe gjatë vitit të kaluar, ku elektricistët nuk kanë vlerësuar marrjen e masave mbrojtëse, duke punuar nën tension.

Por, krahasuar me një vit më parë, vërehet se ka patur edhe dy raste të vdekjes së punëtorëve të ndërtimit, të cilët kanë rënë nga kate të ndryshme të godinës që po ndërtohej.

Edhe pse nga institucioni i prefektit në Qarkun e Korçës është marrë në konsideratë disa herë ky problem, përsëri vdekjet aksidentale kanë mbetur të pranishme.

Katër fëmijë të vdekur

Nuk është i pakët numri i fëmijëve të vdekur. Gjysma e këtij viti ka rrëmbyer jetën e 4 fëmijëve në rrethana nga më të ndryshmet, por edhe më të çuditshmet. Duket se vetë prindërit nuk kanë njohuritë e mjaftuseshme për të mbrojtur jetën e fëmijëve të tyre. Rast tipik mbetet ai i nënës 15-vjeçare nga Bilishti, e cila i solli vdekjen djalit të vet teksa i jepte gji fëmijës 40- ditëshe, duke fjetur bashkë me të dhe bashkëshortin, pasi jetonin në rrethana mjaft të vështira të emigracionit. Për prindërit e fëmijëve këto mbeten jo vetëm raste nga më tragjiket, por edhe të paharueshme gjatë gjithë jetës së tyre.

Tri vdekje të tjera

Nga vdekjet aksidentale të rastësishme nuk mbeten të parrezikuar edhe ata që udhëtojnë nga një rreth në një rreth tjetër të pashoqëruar, në një kohë kur vuajnë nga sëmundje të vështira që janë të rrezikshme për jetën. Nuk mund të thuhet se mungon dashuria dhe vlerësimi për të afërmit, por faktet kanë treguar se për shkak të vështirësive ekonomike, u lihen të sëmurëve të kryejne ritet dhe zakonet te të afërmit siç janë dasmat, fejesat dhe hidhërimet, pasi pjesëtarët e tjerë të familjes janë të angazhuar me sigurimin e të ardhurave për të mbajtur familjen. Të gjitha këto raste të ndodhura deri më sot, tregojnë se familja shqptare është duke sakrifikuar gjithçka, duke jetuar mes dashurisë për njeriun e vet dhe mes dhimbjes për raste të tilla, të cilat mund të mos kishin ndodhur dhe njerëzit e tyre të ishin sërish pranë familjes njëlloj si më parë.

Vepror Hasani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›