E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet kryetatimorja e Fierit, falsifikoi TVSH-në

Nevila Bami dhe tre ekonomistë të tjerë, akuzohen se krijuan një firmë fiktive për të përfituar rimbursim


Vlera e faturave të falsifikuara për qëllim përfitimi dyshohet se kap shifrën 130 milionë lekë, dëmi rreth 300 mijë euro

TIRANE- Arrestohet për falsifikim kontabiliteti, ish- kandidatja e PD-së në Lushnje dhe drejtoreshë e Tatimeve, bashkë me tre ekonomistë të tjerë, pasi akuzohen se kanë përfituar TVSH-në, duke hapur një subjekt fantazmë dhe me faturat e shitblerjeve të saj merrnin rimbursimin e tvsh-së.


Vlera e mashtrimit sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, dyshohet se kap shifrën e rreth 130 milionë lekëve të reja, ndërsa dëmi mendohet se mund të arrijë në afërsisht 30 milionë lekë. Një abuzim i tillë dyshohet se është kryer nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe krijimit të faturave, bilanceve dhe në tërësi të një aktiviteti biznesi fiktiv.


Nevila Bama, ish- funksionare e Partisë Demokratike të Lushnjes, është ndaluar në banesën e saj me vendim të Gjykatës së Tiranës pas kërkesës së zyrës së Task- Forcës, së Prokurorisë së Tiranës.


Bashkë me të, me urdhër të prokurorisë së rrethit, janë ndaluar Shkëlqim Sako, nga Erseka, banues në Tiranë, Ajeta Shkëmbi, 43 vjeçe, nga Mamurrasi, me banim në Tiranë, dhe Marjana Palla nga Vlora me banim në Tiranë, të gjithë me profesion ekonomistë, janë marrë në ndjekje penale nga organi i Prokurorisë së Tiranës, pas një hetimi të referuar nga organi i Drejtorisë së Tatimeve.

Në këtë institucion, dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, personat e mësipërm prej rreth një viti e gjysmë kishin hapur një subjekt tregtar për të zhvilluar biznesin e tyre.


Por sipas burimeve të policisë, që prej kohës së regjistrimit, asnjë prej personave të cilët kishin vënë emrin e tyre në këtë subjekt, nuk kishin shlyer detyrimet taksore si çdo subjekt që nga tatimet e ndryshme dhe taksat vendore. Aktiviteti i subjekteve të regjistruar sipas burimeve të Prokurorisë ishte shtrirë në Lushnje dhe Fier.


Në këto dy qytete, të akuzuarit blinin fatura të ndryshme tatimore dhe më pas ato i dorëzonin në drejtorinë e Tatimeve, me qëllim që atyre t'iu rimbursohej Taksa e Vlerës së Shtuar TVSH-ja, nga buxheti i shtetit. Disa muaj më parë, kur drejtuesit e tatimeve prisnin pagesat e taksave të ndryshme në nivel qëndror, është vënë re se paratë për këtë subjekt nuk ishin derdhur.


Në këto kushte funksionarët e këtij isntitucioni kanë denoncuar subjektin ku bënte pjesë edhe kolegia e tyre në Fier, duke e akuzuar atë për shmangie të detyrimeve tatimore.


Por vetëm disa muaj pas hetimeve të zyrës së Task- Forces, së Prokurorisë së Tiranës është zbuluar se subjekti nuk kishte vetëm shmangie dhe mospagim të detyrimeve tatimore, por falsfikime, bilance false, falsifikime faturash dhe krijim të subjektit tregtar fiktivisht shpërdorim detyre etj.


Për këtë shkak, dy ditë më parë, prokuroria i kërkoi gjykatës arrestin e shtëpisë për të katër të akuzuarit si dhe ndalimin e ushtrimit të funksionit të tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›