Coli: 200 mijë euro për lirimin e Klodian Saliut
I penduari i bandës së Durrësit përfundoi dje dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Bujar Gashit në lidhje me vrasjen e Dritan Dishës
TIRANË- I penduari i "bandës" së Durrësit, Adriatik Coli, mbaroi pasditen e djeshme rrëfimin e tij para togave të zeza për vrasjen e Dritan Dishës në seancën gjyqësore, në procesin ndaj bashkë të pandehurit Bujar Gashi. Ky është një nga të akuzuarit e bandës së Durrësit.
Ai konfirmoi para gjykatës se "banda" ku ai kishte bërë pjesë kishte paguar 200 mijë euro për lirimin e Klodian Saliut nga burgu në vitin 2002, ndërsa nuk cilësoi konkretisht kush ishte paguar. Seanca e djeshme gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe vazhdoi për rreth 20 minuta me marrjen në pyetje të Colit nga prokurori i çështjes në këtë proces gjyqësor.
Pas dëshmisë së tij, avokati mbrojtës dhe vetë i pandehuri i kërkuan togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda një javë kohë për t'u përgatitur për pyetjet që do t'i drejtohen dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia.
Gjykata e konsultuar në vend, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve dhe shtyu seancën gjyqësore për të martën e ardhshme në ora 13:00, për t'i lënë kohë mbrojtjes që të përgatitet.
Ndërsa, në seancën e djeshme Coli përfundoi dëshminë e tij në lidhje me vrasjen e Dritan Dishës, duke identifikuar "personat" që morën pjesë në këtë atentat, që erdhi si pasojë e vrasjes së Mehmet Saliut, një kushëri i të pandehurit Bujar Gashi.
Gjithashtu, në deklarimet e tij të lira Coli i tha gjykatës se ai bashkë me pjesëtarët e tjerë të "bandës" kishin paguar rreth 200 mijë euro për lirimin nga burgu të Klodian Saliut në vitin 2002.
"Klodi u arrestua për një vrasje të hershme dhe ne bëmë çmos që ta nxirrnim nga burgu. Për këtë Lul Berisha nuk na ndihmoi edhe pse prej vitesh kishte qenë shok me Klodin. Ne i gjetëm dhe paguam rreth 200 mijë euro dhe Klodi doli nga burgu i pafajshëm në vitin 2002.
Emrat e personave se kush i mori nuk i mbaj mend për momentin, por di që sa herë dosja e Klodit shkonte në Gjykatë të Apelit apo Gjykatë të Lartë ne paguanim lekë dhe më pas ai doli",- mësohet të ketë thënë Coli në dëshminë e tij.
Gjithsesi nuk dha emra konkretë se në duart e kujt kishin përfunduar ato para. Më pas Coli gjatë dëshmisë së tij tregoi para gjykatës se vrasjen e Dritan Dishës e kishin bërë bashkë me Endrit Doklen, Klodian Saliun, Bujar Gashin dhe vetë atë.
Dëshmia:
Vrasjen e Tan Dishës e porositën Klod Saliu e Plarent Dervishi
"Një javë pasi varrosëm Mehmet Saliun, i cili ishte fis i largët i Lulëzim Berishës dhe kushëri i parë i Bujar Gashit, rreth mesit të muajit korrik 2000, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Indrit Taullai vendosën ta vrisnin Tan Dishën meqë shoqërohej me Marsel Sotirin dhe Erion Lamen dhe këtë punë ma ngarkuan mua dhe Endrit Dokles.
Klodi i tha një personi që e thërrisnin "Çupe" që kishte një furgon dhe punonte si taksist në linjën Spitallë - Durrës, që do na merrte neve dhe të na dërgonte deri në Shënavlash dhe ai pranoi.
Unë bashkë me Doklen morëm nga një kallash tek shtëpia e Klodit dhe u nisëm, unë, Dokle, Taullai dhe Gashi si dhe shoferi "Çupja", që i pa armët. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia e Mehmet Saliut, ku pritëm bashkë me "Çupjen" sa u errësua pak. Bujari kishte lënë një djalë që nuk e di se kush ishte, për ta ruajtur tek lagjja Tan Dishën, kur do të dilte Tani për në Durrës.
Dolëm me makinën e "Çupjes" dhe zbritëm poshtë ku shoferi iku. Unë me Doklen dolëm dhe zumë pritën rreth 300- 400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Taullaj dhe Gashi shkuan 500 metra para nesh, që kur të kalonte Tani të na lajmëronte me një të shtënë pistolete.
Pasi kemi ndenjur rreth 30 minuta aty, në të dy anët e rrugës afër një gardhi ku kishte parkim makinash në krahun e kënetës, dëgjuam të shtënën e pistoletës që na sinjalizonte për ardhjen e Tan Dishës. Dokle doli në rrugë ndërsa unë isha pak para tij, në anën tjetër të rrugës.
Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe fillova të qëlloj me automatik në drejtim të makinës deri sa mbarova karikatorin e kallashit. Pasi mbarova unë filloi të qëllonte Dokle dhe unë ndërrova karikatorin kur në atë moment makina doli nga rruga dhe ra në kanal.
Unë iu afrova me karikatorin e ri rreth 1- 2 metra dhe e qëllova përsëri Tanin me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh që kalon aty afër. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Taullajn ku i treguam se atë e vramë",-tha Coli para gjykatës.