E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina, investime shumë miliardëshe në shtetet e Ballkanit



Kina është duke shfrytëzuar momentet e vështira të krizës ekonomike në Europë për tu shtrirë me ekspansion dhe për të përfshirë një pjesë të madhe të ekonomisë të kontinentit “plak”. Duket se në qendër të “evazionit” ekonomik të gjigantit aziatik është vënë pikërisht rajoni i Ballkanit, mbase sepse në këtë të fundit pasojat e krizës do të kalojnë të fundit. Por edhe sepse në këtë rajon shtetet kanë politika më të hapura dhe uri më të madhe për investime, se sa vendet e tjera të BE-së. Filozofia duket e thjeshtë, shtetet e Evropës Juglindore kanë nevojë për para, Pekini i jep ato me përqindje më të ulët se zakonisht dhe pa kërkesa për rimëkëmbjen e buxhetit apo reforma të dhimbshme strukturore. Kina po bëhet lojtari më i madh në rajon.

Shqipëria - zonë të tregtisë së lirë me Kinën
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vendi i të cilit ka qenë dikur bastion i Kinës në Evropë në kohët e diktatorit Enver Hoxha, deklaroi pas takimit me presidentin kinez Hu Jin Tao krijimin e një zone të tregtisë së lirë për tregtarët kinezë. Hungaria shpreson të bëhet nyjë e tregtisë së Kinës me Evropën. Një shkollë dygjuhëshe hungarezo-kineze do të përgatisë ekspertët. Në Izmir dhe Talin investitorët kinezë kontrollojnë portet, ose negociojnë për t'u futur në to. "Ndërsa Moska dhe Uashingtoni diskutojnë për çarmatimin nuklear dhe hahen për zona influence, ne përjetojmë, se si një Kinë e pasur dhe e sigurt po i dominon në një hapësirë fare të papritur",- komentonte amerikani Louis O'Neill, dikur ambasador i OSBE-së në Kisinau, në gazetën "Financial Times". Kinezët synojnë edhe në shtetet e Evropës Juglindore, anëtare të BE-së. Greqia, e cila prej vitit 2006 ka një marrëveshje "partneriteti strategjik" me Kinën, shpreson që kinezët të bëhen blerës të bonuseve greke të thesarit, gjë për të cilën ministri i financave Papakonstantinu do të shkojë në Pekin, Shangai dhe Hong-Kong.

Partneritete strategjike me Serbinë
Shumë shpesh është fjala për partneritete strategjike. Kështu ishte kur presidenti serb Boris Tadiç gushtin e kaluar bëri një vizitë njëjavore shtetërore në Kinë. Kështu ishte përsëri, kur ushtritë e të dy vendeve ranë dakord disa javë më vonë për bashkëpunim të ngushtë dhe Tadiçi deklaroi se bashkëpunimi me Kinën është pjesë përbërëse e "Politikës së jashtme mbi katër shtylla". Qëllimi kryesor i vendit mbetet hyrja në BE (për një kohë qëndrimi larg nga NATO), por Serbia do t'i rrumbullakosë marrëdhëniet me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën, tha Tadiç. Pyetjen e një gazetari, në se është e çuditshme, kur një gjigant dhe një xhuxh janë partnerë strategjikë, kryetari i shtetit nuk e gjeti me vend, sepse sa më të fortë t'i ketë "miqtë" një shtet, aq më i fortë është ai vetë. Për 170 mijë milionë euro firmat kineze deri në vitin 2013 duan të ndërtojnë me partnerë të rinj serbë një urë të dytë urgjentisht të nevojshme në Beograd. Në fund të janarit qeveria serbe u dha kinezëve porosinë për modernizimin e termocentraleve në Danub pranë Pozarevacit, të cilat rrjedhin nga koha jugosllave. Volumi i kontratës arrin në më shumë se 900 milionë euro.

Kinezët i sjellin paratë menjëherë
Por arsyeja më e madhe për atraktivitetin e ofertave kineze ka të bëjë me faktin se kinezët i sjellin menjëherë paratë për projekte të mëdha. Ky model konstatohet kudo në rajon. Bankat kineze japin kredi të leverdishme. Ndryshe nga BE dhe FMN kinezët i japin të hollat pa kushte për reforma strukturore, apo shkurtime të shpenzimeve publike. Guvernatori i bankës kombëtare serbe, Radovan Jelasiç e konfirmon këtë me fjalët: "Nëse Serbia nesër u drejtohet tregjeve financiare, nuk do të marrë para me më pak se gjashtë për qind interes dhe kjo për një periudhë më së shumti prej pesë vjetësh”. Shefi i bankës qendrore e sheh angazhimin e kinezëve në një kuadër më të gjerë. "Të gjitha qeveritë e rajonit kanë plane të mëdha, por s'kanë para. Kinezët kanë para dhe janë më të gatshëm se vendet e tjera për të investuar. Që prej dy vjetësh vërejmë një sjellje deri diku agresive të kinezëve. Ata kërkojnë të kenë më shumë prezencë këtu”. Kështu është edhe në shtetet e tjera të rajonit: Nëse vitet e fundit Kina ka siguruar në Afrikë dhe Amerikën Latine lëndë të parë për industri, kështu Lindja e Evropës është një prej rajoneve për eksportin e teknologjisë kineze. Mali i Zi ka marrë një kredi prej 47 milionë dollarësh nga Banka Eksport-Import për të financuar blerjen e anijeve kineze.

Marrë nga Dojçe Vele
Autor: Frankfurter Allgemeine Zeitung/ Angjelina Verbica

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›