E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH: “Shkarkimet nga 3 HEC-et mbi Drin, do të vazhdojnë”



Ervin KOÇI

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka informuar dje se do të vazhdojnë shkarkimet nga liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin. Prej të njëjtave burime zyrtare u tha edhe se dje gjatë paradites, Fierza me kapacitet maksimal 296 m, ndodhet në nivelin e 293.78 metrave. Prurjet në Fierzë janë 650 m kub ujë/sekondë, kurse shkarkimet me 550 m kub ujë/sekondë. Në Koman me kapacitet 175 m, niveli i liqenit shënoi dje 170.97 m. Prurjet arrijnë deri në 300 m kub ujë/sekondë kurse derdhjet ishin në 900 m kub ujë/sekondë. Në Vaun e Dejës me kapacitet 76 metra, liqeni shënoi dje nivelin e 74.43 metrave, kurse prurjet ishin 180 m kub ujë/sekondë. Shkarkimet do të vijojnë edhe sot në masën e 1140 metrave kub ujë/sekondë. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme, sipërfaqja e tokës së përmbytur llogaritet të jetë 6750 ha. Deri tani janë evakuuar 375 persona, ndërkohë që të përmbytura rezultojnë 108 shtëpi dhe 805 të tjera janë rrethuar me ujë. Në Daragjat të Komunës Dajç dhe në Ças të Komunës Velipojë po punohet për përforcimin e argjinaturave, ndërsa në Ashtë të Komunës Bushat vazhdojnë punimet për forcimin e vendit ku rrezikohet shembja e disa shtëpive.

Operacionet
Operacioni i evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit po kryhen nga strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit. Edhe dje ka vijuar puna për përballimin e problemeve të shkaktuara nga përmbytjet në disa zona të Qarkut të Shkodrës. Për shkak të nivelit të ujit disa akse rrugore janë të kalueshme vetëm nga automjetet e larta, si aksi rrugor nga Kthesa e Dajçit deri tek ura e Shirqit, aksi i rrugës së Obotit dhe Gorricës në Komunën Ana e Malit dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Lulit. Në aksin e rrugës nacionale tek Harku i Bërdicës nuk ka prezencë uji.

Situata
Mesdita e djeshme i ka gjetur disa zona të Shkodrës nën ujë. Ndërkohë niveli u ujit shënoi rënie vetëm në disa zona në periferi të qytetit. Për të dytën herë radhazi është përmbytur dhe Xhamia e Plumbit. E shpallur monument kulturë për rëndësinë e saj të veçantë, xhamia dje është tërësisht e izoluar nga uji për shkak të rritjes së prurjeve të lumit Drin. E njëjtë situata paraqitet edhe për dhjetëra shtëpi po në lagjen “Ajasëm”, ndërsa mësohet se përgjatë orëve ka pasur dhe rënie të nivelit të ujit si pasojë e ndërprerjes së reshjeve të shiut. Niveli i ujit ka pësuar rënie dhe në lagjet e tjera në periferi së Shkodrës. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zonën e Nën-Shkodrës ku niveli i ujit duket se ka pësuar rritje, ndërsa vijon ndërtimi i argjinaturës për të shmangur zgjerimin e hartës së përmbytjes. Mësohet se aktualisht kalimi në urën e Gjon Lulit dhe në Dajç kryhet vetëm me mjete të rënda të ushtrisë, ndërsa në Dajç vetëm me mjete motorike. Mbi 100 shtëpi vijojnë të jenë të përmbytura dhe të izoluara nga uji, reth 700 të tjera të rrethuara me ujë ndërsa sipërfaqja e përmbytur është mbi 5 mijë ha tokë.

Fusha e Maliqit kënetëzohet përsëri si në origjinë

Fusha e Maliqit është kthyer në liqen. Tokat bujqësore i përngjajnë kënetës së dikurshme, e cila u tha disa dekada me parë. Dëmtimi i kanaleve kulluese është shkaku kryesor i kthimit në liqen të kësaj zone, ku thellësia e ujit arrin deri në 3 metra. Kjo zonë dikur kënetë, mbahej e thatë me anë të sistemit të kanaleve të kullimit të cilat e përshkonin atë në gjithë gjatësinë e saj. Por vitet e fundit kanalet nuk janë mirëmbajtur dhe për shkak të ndarjes së tokës në parcela, duke u bllokuar në disa raste. Të paktën 2500 hektarë sipërfaqe bujqësore janë prekur nga përmbytjet në fushën e Maliqit. Tokat ndodhen të gjitha nën ujë duke shkaktuar dëme të shumta për bujqësinë dhe fermerët. Shkak për këtë situatë të rënduar është bërë mosfunskionimi i sistemit të kanaleve kulluese dhe bllokimi i kanaleve dytësore. Fusha ndodhet në zonën e ish-kënetës, e cila për shkak të djegies së vazhdueshme të saj ka ulur nivelin nga viti në vit dhe gjendet nën nivelin e ujërave nëntokësore duke shkaktuar çdo vit përmbytje. Por këtë vit situata është përkeqësuar më tej pas reshjeve dhe shkrirjes së dëborës.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›