E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin e thelluar për tregun e gazit



Autoriteti i Konkurrencës, në bazë të nenit 28 të ligjit 9121 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, nisur nga disa konstatime të medias, se në tregun e gazit po kufizohet konkurrenca, monitoroi tregun e tregtimit të gazit nga importi mbi kufizimet e mundshme të konkurrencës. Autoriteti administroi edhe dy formularë ankese nga ndërmarrje që zhvillojnë veprimtarinë në tregun e import- eksportit të Gazit (GLN), si dhe korrespondencën mes ndërmarrjeve importuese dhe koncensionarëve. Gjithashtu METE ka kërkuar bashkëpunimin e AK-së lidhur me shqyrtimin e ankesës nëse është kufizuar konkurrenca e lirë dhe efektive në tregun e gazit të lëngshëm. Nga monitorimi rezulton se ndërmarrjet ankimuese kërkojnë ofrimin e shërbimit në të dy portet duke pretenduar se kompanitë që zotërojnë koncesionet refuzojnë të ofrojnë shërbimin e shkarkim-depozitim të gazit të lëngshëm që në kuptim të nenit 9, pika 2, gërma “dh” e ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës autorizoi Sekretarin e Përgjithshëm për hapjen e hetimit paraprak në tregun përkatës në bazë të nenit 42, pika 1 të ligjit nr. 9121 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Ministria e Mjedisit përcakton hartën e lumenjve më të ndotur

Lumi i Gjanicës, në Fier është tërësisht i ndotur nga mbetjet që depozitohen aty prej vitesh nga industria e përpunimit të naftës në Ballsh. Kreu i bashkisë ka kërkuar gjetjen e financimeve për realizimin e këtij projekti. Në projektin përfundimtar për rehabilitimin e këtij lumi, që po dëmton shëndetin e banorëve, kreu i Ministrisë së Mjedisit, Fatmir Mediu, tha se do të ndihmonte në gjetjen e financimeve që do të përdoren për rehabilitimin e lumit. Ministri i Mjedisit ka saktësuar se ujërat sipërfaqësore të disa lumenjve në vend janë të ndotur. Por gjendja është edhe më e rënde në zonat bregdetare ku nuk ka trajtime të ujërave të zeza, të cilat vazhdojnë të shkarkohen në det. Nga monitorimi i specialistëve ka rezultuar se lumenjtë më të ndotur në vend janë: Gjanica, Semani, Ishmi, Lana dhe lumi i Tiranës.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›