Arrestohet mashtruesja që shtirej si gazetare
Një mashtruese për sigurim vizash italiane dhe e vetëdeklaruar si gazetare është ndaluar në kufi teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Maqedonisë. Shtetasja Arlinda Baroti, 38 vjeçe, nga Durrësi është dënuar me 3 vjet heqje lirie për veprën penale të mashtrimit të kryer më shumë se njëherë. Gruaja e re ishte përfshirë në listën e personave në kërkim nga policia në fund të janarit të këtij viti. Ndonëse e dënuar në mungesë për mashtrimin e tre shtetasve, të cilëve u kishte marrë para duke u premtuar sigurimin e vizave italiane, Baroti nuk ishte në dijeni të përfshirjes në listën e të kërkuarve. Ajo është kapur në Qafë-Thanë. Burimet policore saktësuan se Baroti është banore e plazhit në Durrës me arsim të lartë, me profesion të deklaruar gazetare dhe përkthyese, e divorcuar me një fëmijë, e padënuar më parë. Ndalimi i saj u bë për arsye se Prokuroria e Rrethit Durrës ka nxjerrë urdhrin e datës 25 janar për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Durrës, në bazë të të cilit ajo është dënuar me 3 vjet burg për mashtrim të kryer më shumë se një herë. Një ditë më pas, 38-vjeçarja Baroti është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë e Qarkut Durrës. Gjykata e Rrethit Durrës e ka shpallur atë fajtore, pasi ka vërtetuar se ka mashtruar tre shtetas, të cilëve u ka premtuar se do t’u siguronte viza italiane, me qëllim dërgimin në Itali të të afërmve të tyre, në dy raste nuset e djemve dhe në një rast mbesën për të shkuar pranë familjeve. Pas marrjes së shumave prej 2000 dhe 2500 eurosh nga këta shtetas, ajo nuk u ka siguruar vizat dhe as ua ka kthyer më shumat e përfituara prej tyre. Gruaja e divorcuar e ka zgjedhur këtë rrugë për të siguruar fitime dhe mbajtur familjen e saj. Pas ndalimit në polici ajo është paraqitur e acaruar dhe ka deklaruar se shumë shpejt do të dalë në liri. Ajo ka deklaruar se nuk ka mundur t’ua kthejë paratë, pasi ato i ka shpenzuar, ndërsa përpiqej të siguronte vizat në bazë të njohjeve që ka pasur. Në komunikimet telefonike me të dëmtuarit, Baroti është treguar mjaft e pasjellshme, gjë që i ka nxitur ata ta denoncojnë dhe çojnë çështjen në dyert e gjykatës.
#