E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikantët kyç gojës, policia asnjë të dhënë për heroinën

Vëllezërit Artan, Alfred dhe Kujtim Qefalia nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me grupin e hetimit

Vëllezërit Qefalia, të arrestuar katër ditë më parë me 2.8 kg heroinë, nuk kanë thënë asnjë fjalë për mënyrën se si e kanë siguruar drogën, apo dhe për ku ishte planifikuar të shitej ose tregtohej ajo. Ata nuk kanë pranuar të flasin edhe pas premtimeve që u janë bërë në rast bashkëpunimi. Për ditë të tëra inspektorët e antidrogës kanë shkuar t’u marrin dëshminë në ambientet e paraburgimit tyre, por nuk kanë mundur t’u shkëpusin asnjë fjalë që mund ta ndihmonte hetimin. Burime nga grupi i hetimit thanë se dëshmia e tyre do të mundësonte arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në trafik, apo do të hidhte dritë mbi rrugën e hyrjes së sasisë së lëndës narkotike dhe vendmbërritjen e saj. Vëllezërit Qefalia, të cilët banonin në një ndërtesë katërkatëshe në Farkë, kanë dhënë dëshmi thuajse të njëjta për mënyrën se si e kishin mundur të siguronin lëndën narkotike. Ata kanë deklaruar se e kishin gjetur në anë të liqenit dhe më pas e kishin marrë dhe futur në shtëpi.

Inspektorët e antidrogës nuk kanë marrë asnjë shpjegim edhe për mënyrën e kamufluar të fshehjes së lëndës narkotike në një kovë plastike apo personave me të cilët ata kishin biseduar për ta tregtuar. Sipas policisë, deklarimet e tyre janë të pavërteta, pasi edhe pse ata nuk ishin persona në vëzhgim për trafik të lëndëve narkotike, ishin persona problematikë dhe fakti është se ata u ndaluan pas një grindjeje të çastit dhe pas kontrollit të banesës për armë dhe municione luftarake uniformat blu qëlluan në shenjë kur sekuestruan 2.8 kg lëndë narkotike e llojit heroinë.

Hetimet

Nisur nga sasia e kapur në shtëpinë e tre vëllezërve Qefalia, strukturat e sektorit të antidrogës mendojnë se qëllimi i zotëruesve të lëndës narkotike ishte ta tregtonin atë në kryeqytet. Po sipas tyre, përqendrimi i sasive të drogës është bërë tashme në periferi të Tiranës, pasi mundësitë e kontrollit të personave atje është i vështirë. Kjo vjen edhe për shkak të shtrirjes së madhe të kryeqytetit dhe numrit të paktë të inspektorëve të antidrogës, që operojnë prej muajsh me dy mungesa në strukturë. Shpërndarësit furnizohen në periferi dhe goditja e rrjetit të tyre bëhet në momentin që ata ua tregtojnë klientëve në zonat brenda qytetit. Inspektorët e antidrogës po hetojnë lidhjen e vëllezërve me persona të tjerë, të cilët mendohet se janë përfshirë në trafikun e lëndës narkotike. Për këtë ajo ka bllokuar aparatet e telefonave që u përkisnin tre vëllezërve dhe pret nga kompanitë e telefonisë së lëvizshme tabulatet për të hetuar komunikimet e tyre me personat e tjerë, verifikimin e tyre dhe shkuarjen deri te burimi nga është marrë droga. Në pyetje janë marrë edhe familjarë të tyre, të cilët kanë mohuar të kenë dijeni për veprimtarinë në fushën e trafikut të tre vëllezërve.

Operacioni

Vëllezërit Artan, Alfred dhe Kujtim Qefalia, u ndaluan nga efektivat e Policisë së Komisariatit Nr. 1, pas një grindjeje të çastit me një tjetër person paraditen e së premtes në fshatin Farkë e Vogël. Uniformat blu kanë kryer një kontroll rutinë në shtëpinë e Qefalive dhe kanë zbuluar se brenda një kove, e cila në pamje të parë dukej si mbajtëse kripe, ndodhej plot 2.8 kg lëndë narkotike e tipit heroinë. Vëmendjen e policëve e ka tërhequr vendosja e kovës me kripë në papafingo. Dyshimi i çoi ata deri në zbrazjen e saj. Agjentët e antikrimit nuk u kanë besuar syve kur prej kovës ka dalë një qese me pluhur të bardhë. Pasi uniformat blu konstatuan pluhurin e bardhë, dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë, kanë njoftuar rreth orës 15.00 oficerët e antidrogës në policinë e kryeqytetit. Këta të fundit sekuestruan sasinë e heroinës dhe kryen arrestimin e tre vëllezërve që ishin ndaluar për incidentin e paradites. Nga kontrolli i ushtruar në vilën katërkatëshe, policia gjeti edhe një sasi të konsiderueshme municionesh luftarakë. Paraprakisht ata i pyetën vëllezërit Artan, Alfred dhe Kujtim Qefalia për origjinën e heroinës dhe vendmbërritjen e saj, por nuk morën asnjë përgjigje prej tyre. Menjëherë pas sekuestrimit të sasisë së pluhurit të dyshuar si heroinë, policia nisi hetimet për të mësuar vendin ku ishte porositur droga. Burime zyrtare të policisë thanë se hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës, për të zbardhur plotësisht rrugën e ardhjes dhe të mbërritjes përfundimtare të heroinës së sekuestruar. Tre vëllezërit Qefalia do të akuzohen tanimë për veprat penale të shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›