Banorët e pashpronësuar bllokojnë punimet e rrugës LevanTepelenë
Dhjetëra banorë të Komunës së Frakullës në Rrethin e Fierit kanë protestuar paraditen e së hënës, duke shkuar deri në bllokimin e punimeve të autostradës Levan-Tepelenë. Shkak i protestës së përsëritur të banorëve të fshatrave Kafaraj dhe Adë të Komunës Frakull është vonesa e procedurës së shpronësimeve të tokave të tyre, të cilat i ka zënë gjurma e autostradës që vijon nga Levani në drejtim të Tepelenës. Fillimisht protestuesit janë mbledhur në qendër të fshatit dhe më pas i janë drejtuar autostradës që ka zënë tokat e tyre. Me mjete bujqësore, ata kanë bllokuar një pjesë të trasesë. “Na kanë marrë tokën ku nxirrnim bukën e gojës dhe ende nuk na kanë dëmshpërblyer. Ky është një shtet grabitës”, tha Agron Velo, banori i fshatit Adë. Idajet Hamataj, të cilit autostrada i ka zënë mbi tre dynymë tokë bujqësore, shprehet se katër herë ka shkuar në prefekturë për t’u informuar lidhur me shpronësimet dhe asnjë nga drejtuesit e institucioneve nuk i ka dhënë zgjidhje. “Na mbetet që ta gjejmë vetë zgjidhjen dhe të drejtën tonë”, tha Hamataj. Banorët treguan se e kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar dëmshpërblim, por përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve dhe qeveria i ka sorollatur. Protestuesit bllokuan kamionët e firmës, ndërsa në duar mbanin edhe certifikatat e tokës që kanë në pronësi prej vitesh. Ata thanë se do të përshkallëzojnë protestën, duke kërcënuar me bllokim të rrugës kombëtare Fier-Vlorë.
#