Banorët e Nënshkodrës nisin të ndiejnë pasojat në ekonomi
Banorët e zonës së Nënshkodrës, të prekur dy herë nga përmbytjet brenda dy muajsh, ankohen se nuk kanë me se të ushqehen. Tokat e tyre janë dëmtuar dhe nuk mund të merret asnjë prodhim. Ndërkaq ata ankohen se edhe ushqimi i bagëtive u është mbaruar dhe nuk kanë se ku ta sigurojnë. Familja e Gjergj Grudës, e cila ndodhet në zonën e Nënshkodrës, në një territor mes tre komunave: Bërdicë, Bushat dhe Velipojë, është një nga ato që vuan mungesën e ushqimeve. Në të dyja rastet, familja e përbërë nga dy të moshuar, është dëmtuar shumë. Uji ka qenë prezent në lartësi mbi një metër, duke shkaktuar dëme serioze. E vetmja pasuri e kësaj familjeje është toka, që sot nuk mund të punohet dhe disa koshere bletësh të shkatërruara nga përmbytja, por që grupi i verifikimit nuk ia ka vlerësuar me pretendimin se kishte pasur mundësi t’i shpëtonte.
Dy pjesëtarët e kësaj familjeje i bëjnë thirrje shtetit t’i ndihmojë, sepse po mbeten pa bukën e gojës. Sipas Grudëve, fakti se ata ndodhen në zonë kufitare mes tre komunave, por më afër me Komunën e Berdicës, e ka bërë dhe më të vështirë gjendjen e tyre. Kjo pasi asnjë nga komunat nuk i del për zot kësaj familjeje për t’i dërguar ndihma. Gjergj Gruda thotë: “Nuk kërkoj ushqim për bagëtitë se nuk kam, por dua ushqim për vete. Tokën nuk mund ta punoj, pasi u përmbyt dy herë. Nuk kam asnjë të ardhur tjetër dhe e vetmja ndihmë kanë qenë dy pako makarona që i kanë sjellë, që kur u shkaktua përmbytja e parë. Asnjë nga komunat nuk më jep ndihmë, pasi më thonë se nuk jam në juridiksionin e tyre, pasi ndodhem mes tre komunave. Nuk e di se çfarë të bëj, nuk më ndihmon asnjeri. Para përmbytjes, isha shumë mirë, punoja tokën, kisha bletë, por dhe ato u dëmtuan nga përmbytja, madje as nuk i vlerësuan si dëm, duke u tallur me mua. Më thanë se kisha pasur mundësi t’i shpëtoja. Nuk di se kujt duhet t’i drejtohem për ndihmë, cilit shtet, cilës qeveri”.
Kur hyn në shtëpinë e Grudëve, gjëja e parë që të bie në sy është fakti se pasi kanë kaluar dy përmbytje radhazi, nga frika e përmbytjes së tretë, çdo orendi shtëpiake ndodhet e ngritur mbi blloqe betoni. Ndërsa shtrati, për të qenë më i sigurt, është vendosur sipër dy fuçive. E zonja e shtëpisë thotë se “përveç hallit që jemi pa bukë, ne jetojmë me frikën e përmbytjes. Kemi ngritur të gjitha orenditë dhe nuk po dimë se çfarë po bëhet. Përmbytja e dytë na ka zënë të papërgatitur, ndaj kemi frikë dhe rrimë në gatishmëri”. Banorët e zonës së Nënshkodrës janë duke jetuar çdo ditë mes krizës së rëndë ekonomike dhe frikës.
#