E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet Unaza veriore e qytetit

Burrel

Prej ditësh, aksi rrugor i Unazës në pjesën veriore të qytetit të Burrelit, vazhdon të mbahet i bllokuar për lëvizjen e automjeteve. Shkak për këtë janë bërë reshjet e dendura të shiut, si pasojë e të cilave është shembur traseja e rrugës në një gjatësi prej rreth 50 metrash. Kështu, prej ditësh në këtë aks rrugor nuk mund të kalojnë mjetet e rënda të transportit të mineralit të kromit nga Miniera e Bulqizës. Si pasojë e bllokimit, automjetet e tonazhit të rëndë janë detyruar të lëvizin në rrugët e qytetit të Burrelit. Kjo ka shqetësuar autoritetet vendore të këtij qyteti, pasi kamionët me ngarkesa deri në 70 tonë dëmtojnë rrugët e qytetit, të cilat janë rikonstruktuar këto vitet e fundit. Burime nga Bashkia e Burrelit konfirmojnë për “Shqip” se prej vitesh kanë kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të mundësojë rikonstruksionin e plotë të Unazës në pjesën veriore të qytetit. Mirëpo, specialistë të kësaj drejtorie konfirmuan se ndërhyrja në këtë pjesë të Unazës nuk është efektive, pasi toka aty është e paqëndrueshme. Sipas tyre është më mirë që të ndërhyhet për ndërtimin e një unaze tjetër në pjesën jugore të qytetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›