Arrestohet me drogë,armë e lekë false i sapoliruari nga burgu
TIRANE - Arrestohet me drogë, armë dhe para false pengmarësi i sapoliruar nga burgu. Policia e kryeqytetit pohoi se ka vënë në pranga dy të rinjtë Gramoz S. dhe Rinor Osmani të cilëve gjatë kontrollit u janë gjetur 115 gramë heroinë, 5 gramë hashash, një pistoletë dhe një kartëmonedhë 5 mijë lekëshe false. Arrestimi i tyre u bë nga agjentët e seksionit të antidrogës në policinë e kryeqytetit në bazë të informacioneve të siguruara më parë në rrugë operative, pasi dy të rinjtë dyshoheshin se merreshin me shpërndarje narkotikësh në zonën e spitaleve dhe Kinostudio. Pas dërgimit të tyre në qeli policia pohoi se ka ngritur ndaj të rinjve akuzat për “shpërndarje narkotikësh” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që dosjen në ngarkim të tyre e ka përcjellë në polici. Pas verifikimeve të kryera në polici 25-vjeçari Gramoz S, ka rezultuar i dënuar dy herë më parë: në vitin 2003 për vjedhje dhe në vitin 2009 për pengmarrje. Në vitin 2003 ai ka vjedhur një market, ku kishte marrë sende të ndryshme në vlerën e 124 mijë lekëve të reja. Ndërsa vitin e kaluar u dënua me 28 muaj burg për pengmarrjen në bashkëpunim të të riut Festim Gici, i cili më parë u kishte marrë një sasi droge dhe nuk u kishte dhënë paratë pas shitjes. I dyshuari, i ndihmuar nga dy persona të tjerë pas rrëmbimit të borxhliut me një makinë e dërgojnë në malin e Dajtit ku e rrahin më qëllimin për t’i marrë paratë. Pas denoncimit të familjarëve të pengut Selmani u arrestua dhe u dënua nga gjykata, ndërsa mësohet se e ka përfunduar dënimin pak kohë më parë. fa.ma.